Meta: Kandidatët me platforma për sfidat e qeverisjes vendore
LSI ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet e pushtetit vendor të 2011. Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje një takim me drejtuesit e strukturave të LSI-së në Tiranë. Qëllimi i takimit kishte të bënte me nisjen e procesit të riorganizimit dhe miratimin e axhendës politike të LSI-së në Tiranë. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një prononcim për mediat theksoi se takimi kishte të bënte me përcaktimin e kalendarit organizativ të LSI-së së Tiranës. Duke u ndalur në garën brenda partisë, Meta u shpreh se ky proces fillon më 20 qershor dhe do të mbyllet me zgjedhjen e drejtuesve të rinj më 26 shtator. “Ky do të jetë një proces i hapur, një proces që do të analizojë disa elementë së bashku dhe që do t’i shërbejë forcimit dhe konsolidimit të kësaj strukture kaq të rëndësishme për të gjithë Lëvizjen Socialiste për Integrim në vend”, u shpreh Meta. Procesi i riorganizimit të Lëvizjes Socialiste në Tiranë do të ketë synim të saj dhe gjetjen e zgjidhjeve për problematikën që ka sot Kryeqyteti. Meta vlerësoi se ky proces do të ketë në qendër të vëmendjes problematikën vendore. “Unë besoj se në gjithë këtë proces, Lëvizja Socialiste për Integrim e kryeqytetit, përveç edhe problematikës që ka të bëjë me qeverisjen e vendit, me rolin dhe kontributin që LSI-ja ka dhënë aktualisht, por që mund të japë dhe duhet të japë akoma më shumë edhe në të ardhmen, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikën e shumtë vendore të Kryeqytetit, por edhe të gjithë komunitetit dhe komuniteteve të veçanta të Tiranës”, tha z. Meta. Sipas kryetarit të LSI-së kjo parti do të angazhohet përmes platformave të saj konkrete për të zgjidhur problemin e të gjithë qytetarëve siç është trafiku i rënduar në Tiranë. “Një problematikë që është për të ardhur keq, por sa vjen dhe rëndohet. Rasti më flagrant ka të bëjë gjithnjë me trafikun dhe menaxhimin e tij në Kryeqytet”, u shpreh Meta.