E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra pret me madheshti Erkand Qerimajn

Pas madhështisë gjithëkombëtare në Rinas, Erkand Qerimaj mbahet në krahë nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra e sportit dhe e kulturës, e cila natyrshëm që mallëngjehet si një nënë e madhe dhe e vuajtur.
Në Shkodër dinë t’i bëjnë ceremonitë dhe aq më shumë kjo vlen kur bëhet fjalë për një bir dhe për një kampion të Europës. Nuk mund të mungonin as fjalët e ngrohta të pritjes, përqafimet, lulet si dhe kënga himn e krijuar për Erkandin kur doli nënkampion e kampion i botës për të rinj 6 vjet më parë.
Më pas, banda me himnin kombëtar dhe pritja në bashkinë e Shkodrës, aty ku nuk munguan as trajneri Zef Kovaçi, por edhe familjarët e peshëngritësit, ata që kanë bërë sakrifica të panumërta për të.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i uron mirëseardhjen, ndërsa pas tij, flet Erkandi tashmë në versionin e shkodranit.
Ka qenë ditë e lodhshme kjo për ty, Erkand, pas një nate pa gjumë të udhëtimit nga Turqia dhe pas rraskapitjes për të fituar medaljen e artë. Tani e meriton një pushim sado të vogël, për të synuar më pas Olimpiadën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›