E Shtunë, 31 Tetor 2026

Usain Bolt del ne piste

Pasi u mat nja dy herë, më në fund vendosi t’ia bëjë “bam”. Usain Bolt u shfaq në pistë të hapur për herë të parë gjatë këtij viti, ndërsa vështrimin e ka larg, tek Lojrat Olimpike në Londër. Kampioni dhe rekordmeni i botës në 100 e 200 metra këtë herë garoi në sfidën e tretë për nga rëndësia, në stafetën 4x100 metra dhe ndoshta është e tepër të themi se ia doli që të fitonte.
Skuadra e udhëhequr nga Bolt fitoi ndaj asaj që kishte në krye ish-rekordmenin Asafa Pauell. Fituesit dhanë kohën 37”82, ndërsa ekipi i dytë ishte me 38”27.
Pas kësaj gare, xhamajkani u shpreh se “ndihem mirë dhe siç e shikoni po vrapoj shpejt, po punoj me startin dhe gjëra të tjera, por gjithçka po shkon siç duhet tani që duhen edhe nja 100 ditë deri në Olimpiadë”.
Në garën e 100 metrave në Stadiumin Kombëtar të Xhamajkës në Kingston, fitoi Johan Blejk, kampioni në fuqi i botës, me kohën 9”90, ndërsa Bolt nuk mori pjesë. Bolt ka rekodet në 100 e 200 metra, përkatësisht me kohën 9”58 e 19”19, por edhe në stafetën 4x100 metra me 37”10.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›