E Diel, 1 Nëntor 2026

Mori ryshfet pas lindjes së fëmijës, mjeku gjinekolog në hetim të lirë

01/06/2010 Korrupsioni në mjekësi

TIRANË- Janaq Kasapi, mjek gjinekolog pranë spitalit Obstetrik Gjinekologjik “Koço Glozheni”, do të hetohet në gjendje të lirë, pasi e garantoi gjykatën se nuk do të largohet nga vendi. Kjo garanci u bë me shumën e 5 milionë lekëve të vjetra. Kasapi që prej dy muajsh ishte duke u hetuar nga organi i akuzës dhe dje dosja e tij u paraqit për marrjen e masës së sigurimit. Ka qenë një hetim i bërë pas denoncimit të disa familjarëve. Dyshohet se Janaq Kasapi së bashku me një mjek të po këtij spitali kanë marrë dy muaj më parë nga një familje pas lindjes së fëmijës së tyre shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra. Prokuroria pasi ka bërë hetimet ka rënë dakord në gjykatë që ndaj tij të jepej masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Ndërsa vet mjeku është shprehur se nuk ka lidhje me akuzën e “mitmarrjes” dhe të “shpërdorimit të detyrës”. Po kështu Kasapi ka siguruar gjykatën se nuk do të anashkalojë hetimet. Pikërisht për këtë qëllim ai ka lënë edhe një garanci pasurore. Nga ana tjetër bëhet e ditur se numri i mjekëve, të cilët janë duke u hetuar pas denoncimeve të familjarëve sa vjen dhe shtohet. Ky është rasti i dytë që po hetohet në spitalin “Koço Glozheni”. Vetëm pak muaj më parë u hetuan tre mjekë dhe një anestezist për marrje parash pas lindjes së fëmijëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›