“Shkodrën e mbyti etja për të shtuar fitimet nga energjia”
Autori i Lajmit: Denisa KonaEshtë koha kur flasin specialistët. Ngjarje të jashtëzakonshme si përmbytjet “apokaliptike” të ditëve të fundit, kanë bërë që qeveria, institucionet dhe të gjithë të tjerët të kthejnë sytë nga specialistët, drejt atyre që kanë projektuar dhe zbatuar ndërtimin e veprave të tilla si hidrocentralet. Njëri prej tyre është inxhineri hidro-teknik Kristo Goga, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha. Gjatë gjithë kohës ai ka punuar në Institutin e Projektimit të Veprave hidro-teknike, më pas në Insitutin e Veprave Ujore të Bujqësisë. Kristoja ka qenë në projektimin e veprave hidroteknike, rrugë, ura, tunele, mbrojtje nga deti, diga, kryesisht në ndërtimin e digave të vështira etj. Tani ai ka një studio private projektimi dhe jep mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ku jep që nga viti 87 lëndët “Përmirësime ujore” dhe “Vepra speciale”, që ka të bëjë me hidrocentralet. “Studion e projektimit e hapa, kur u mbyll Instituti i Projektimit. Luftova që ky institut të mos mbyllej dhe u arrit që dy herë të shtyhej ky vendim për ta mbyllur. Kam shkuar deri tek kryetari i Parlamentit i asaj kohe,-tregon inxhineri i vjetër. Mungesa e këtij Instituti është jashtëzakonisht e madhe. Esenca është kjo që këto institute u mbyllën, se gjoja nuk janë ekonomike, kanë shumë personel. Meqenëse shteti nuk donte ta mbante më këtë institut, unë kërkova ta privatizoja, ti mbaja specialistët më të mirë, por nuk pranuan. Në fund, kur e mbyllën, na bënë një mbledhje lamtumire ku unë sërish u shpreha kundër mbylljes së këtij institucioni shkencor. Prej kësaj, më kërcënuan. Ishte zv/ministër i Bujqësisë ai ish-i. Mungesa e institucioneve ndihet sidomos kur dalin problemet dhe tani këto që ne po vuajmë nuk janë gjë tjetër veçse pasojë e shkrirjes së institucioneve tepër të nevojshme që i vumë drynin si të tepërta”. Më tej, gjatë një interviste për gazetën “Ballkan”, inxhineri Kristo Goga shpjegon faktorët dhe përgjegjësit e situatës së krijuar në kaskadën e Drinit.
-Inxhinier Kristo, ne kemi shumë hidrocentrale, por problemet e përmbytjeve vijnë pikërisht nga hidrocentralet e mëdha. Si do ta shpjegonit këtë situatë?
Është e vërtetë se në bujqësi nuk ndihen këto probleme, jo se është mirë çdo gjë, por digat e hidrocentraleve mbajnë peshën më të madhe të ekonomisë, janë prodhuesit kryesorë të energjisë dhe janë shfrytëzuar në maksimum dhe tej maksimumit. Digat e hidrocentraleve janë më të larta. Por e keqja është se problemet në vend të dalin nga vështirësi reale, dalin nga moszbatimi i rregulloreve. Pas 90-s i kanë bërë korrigjime rregullores që ka hartuar Instituti i Projektimeve, një rregullore “e shenjtë” me firma. Dhe korrigjimi i është bërë pa u konsultuar me hartuesit, specialistët. Këto janë aksione politike dhe tani po u shohim pasojat…Nëse do të ishte zbatuar rregullorja, jo rregullorja e pas 90-s, por rregullorja me firma që ka nxjerrë Instituti i Projektimeve, kjo situatë nuk do të kishte ndodhur, pavarësisht nga ndërtimet informale. Ministria e Energjitikës ka pranuar se është shkelur rregullorja, dhe në mënyrën se si gjërat bëhen kuptohen pasojat. Fakti që ne ndodhemi sot në një situatë të tillë pragkatastrofe, është se KESH ka keqpërdorur burimet hidrike dhe hidrocentralet. Po të ishte zbatuar rregullorja që është bërë qëkur ka mbaruar kaskada e Drinit para 90-s, sot nuk do të kishte asnjë lloj problemi. Mirëpo, kjo rregullore është ndryshuar pa praninë e një konsulte shkencore. Interesa të caktuara kanë devijuar rregulloren e mëparshme me një tjetër pa baza shkencore.
-Këta njerëz, pra specialistët kanë qenë më parë jashtë lojë?
Në shumicën e rasteve, jashtë loje
-Çfarë i dallon digat e bujqësisë nga digat e hidrocentraleve të mëdha? Pse të parat nuk përbëjnë problem çarjeje?
Digat e bujqësisë nga digat e hidorcentraleve kanë një element që i dallon dukshëm dhe thelbësisht. Shkarkuesi i ujërave të tepërta në rastet e shkarkimeve maksimale, tek digat e hidrocentraleve i ka portat të komandueshme nga dora e njeriut, pra, janë me komandë elektrike. Varet nga vlerësimi që i bën njeriu. Ndërsa digat e bujqësisë e kanë ndryshe. Shkarkuesi i ujërave të tepërta është automatik, sipërfaqësor. Këtu nuk vë dorë njeriu për të marrë vendim. Njeriu e ka pjesën e tij në projektim dhe në ndërtim. Kjo është bërë për arsye se digat e bujqësisë janë të shumta, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.
Jo se digat e bujqësisë i kemi mirë, kanë cepa plot, por këtë element e kanë më të avancuar. Por edhe ato kërkojnë që ti mirëmbash. Ky element plus, i bën që ne sot të mos kemi katastrofa prej tyre. Me këtë rast duhet të kujtojmë vlerën e paçmuar të atyre specialistëve tanë, që futën këtë element në digat e bujqësisë, ua detyrojmë njerëzve si inxhinieri Faredin Nuri, që kishte mbaruar në Francë, Thoma Filipeut, emrin e të cilit ka marrë një kanal në Sarandë etj. Këta janë idhujt tanë.
-Për portat e Fierzës duket se është e gjithë enigma e kësaj situate që nuk dihet se si do të precipitojë. Çfarë mendimesh ka rekomanduar Komiteti Kombëtar i Digave, anëtar i të cilit ju jeni?
Portat e Fierzës nuk janë hapur për 20 vjet, nuk janë provuar dhe tani shpresojmë që rreshjet të mos detyrojnë hapjen e njërës prej portave që nuk funksionon. Ne kemi rekomanduar që të hapet, nëse do të vijmë deri në atë pikë, ku nuk mban më. Në këtë rast, porta do të çahet me dinamit. Porta bëhet e re prapë, por ama shpëtojmë hidrocentralin. Brenda rregullores duhet të vazhdonin shkarkimet që të mos prishen digat, por me kudjes që të mos përmbyten më keq fshatrat poshtë. Por nëse me kohë do të ishte dëgjuar Komiteti i Digave, kjo situatë do të ishte shmangur. Komiteti i Digave duhet dëgjuar jo vetëm kur të jetë vendi në prag të gjendjes se jashtëzakonshme, sepse atëherë mund të jetë shumë vonë.
-Kryeministri e quajti situatën ditë më parë, prag-katastrofe. A vazhdon të jetë e tillë?
Situata po menaxhohet me maksimumin e energjive të të gjithë specialistëve, janë bërë konsulta pas konsultash, Duke shpresuar që edhe natyra nuk do të hakmerret deri në fund, shpresojmë që të nisë kthesa. Por, katastrofë është, nëse shkatërrohet diga, madje në këtë rast, nuk do të ishte më një katastrofë lokale por katastrofë kombëtare. Vetëm njëra digë të çahet, nivelet e ujit shkon deri në Mal të Zi, Shkodra, Lezha, Fusha e Lezhës deri afër Tiranës në Thumanë. Kini parasysh se po të çahet një digë, uji vërshon me fuqi shkatërruese, që ngjan me provat e bombave bërthamore. Ashtu ikën vala.
-Sa diga hidrocentralesh janë?
Diga hidrocentralesh janë pak: Janë tre të Drinit, janë dy të Matit dhe një digë e Syrit të Kaltër që është e vogël. Por që të gjitha këto janë shumë të sigurta. Diga e Fierzës është më e madhja në vend dhe një nga më të mëdhatë në Europë e në botë me 169 metra lartësi.
-Veç Shkodrës dhe Lezhës, a kemi zona të tjera në Shqipëri, të rrezikuara nga digat?
Gjithë Shqipëria ka probleme. Por zona e Drinit nga grykëderdhja e Bunës e poshtë, i ka pasur problemet gjithë këto vite nga shkarkimet e hidrocentralit. Kjo do të thotë se nuk është zbatuar rregullorja. Pavarësisht se ka edhe ndërtime pa leje. Kurse në zonën e Lezhës ka qenë problematike për arsye se me ndryshimin e sistemit, aty pati keqpërim të veprave, ndërtime pa leje, prioshje të kanaleve, mosmirëmbajtjen e duhur. Energjinë që vinte në hidrovore, e merrnin në mënyrë të paligjshme edhe të tjerë, duke i lënë këta shpesh pa energji dhe jashtë funksioni. Ndërtimet pa leje në këto zona tregojnë se shteti nuk ka funksionuar tamam. Moszbatimi i rregulloreve në hidrocentrale implikon politikën, urdhrat nga lart që kanë penguar zbatimin e saj. Sepse ai specialisti që punon në hidrocentral, nuk guxon ta shkelë vetë rregulloren, ai zbaton urdhrin që i vjen nga lart.
-Sipas jush, pse është shkelur rregullorja e ruajtjes së niveleve të ujit në hidrocentrale? Çfarë dilte nga kjo?
Brenda rregullores së shfrytëzimit, duhet të shfrytëzohet çdo pikë ujë. Nuk shkon që të shesësh energji dhe të mbytësh njerëzit poshtë. Pavarësisht se KESH fition aq para, sa ti zhdëmtojë të përmbyturit. Nëse do të vazhdojë kjo formë administrimi, çdo vit banorët e këtyre zonave do të mbyten. Nëse rregullorja nuk do të zbatohet në të ardhmen dhe do të vazhdojë të mbushen hidrocentralet tej mase, atëherë ajo popullsi duhet hequr nga ato zona. Shteti nëse nuk bën këtë gjë, duhet të bëjë këtë tjetrën. Dhe disiplinimi i ndërtimeve në zonën e përmbytjes, është i domosdoshëm. Përmbytjet e zakonshme janë njëra anë. Por moszbatrimi i rregullores dhe kalimi i kuotave të lejuara të ujit në hidrocentrale do të çonte në rast rreshjesh të mëdha, në shpërthimin e tyre. Për këtë arsye, dëshira për të rritur fitimet, është me humbje të mëpasme.
Ky lajm është publikuar: 11/01/2010