E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ing. Kristo Goga: Ja përse na thirri Bashkia e Tiranës për digën e Liqenit Artificial

Autori i Lajmit: Denisa KonaPas përmbytjeve masive në Veri-Perëndim të vendit, edhe bashkia e Tiranës është kujtuar për problemet që ka diga e liqenit artificial. Një çarje e konstatuar ka ngjallur shqetësim dhe ka kërkuar që të shqyrtohet thellësia e problemit nga specialistët e Komitetit Kombëtar të Digave. Inxhinieri Kristo Goga, një nga anëtarët e Komitetit dhe njëherësh, projektuesi i Digës së Bovillës, flet për gjendjen e digave të Tiranës dhe çfarë kanë parashikuara ata si specialistë gjatë projektimit.

-Në situata të tilla problematike, njerëzve gjithnjë u shkon mendja për një situatë të mundshme të ngjashme, tek diga që kanë më afër. Qytetarëve të Tiranës u shkon mendja tek diga e Tiranës, aq më shumë që kemi pasur një incident me të disa vite më parë…Si është gjendja e saj?
Si fillim, do tju them se kjo është diga e dytë në Shqipëri që e kanë projektuar specialistët shqiptarë. Diga e parë ka qenë diga e Furjanit në Roskovec të Fierit më 1954. Ndërsa diga e Tiranës është e vitit 59. Para kësaj si digë, është diga e Ulëzës që e kanë bërë projektues sovjetikë. Vetë diga është në gjendje të mirë. Por, ka problemin e shkarkimeve të ujërave të tepërta. Që kur ndodhi incidenti me portat e digës së Tiranës, ai problem nuk është zgjidhur. Kjo nuk është për faj të specialistëve, është për faj të atyre që e kanë në kurriz për tu përgjigjur për të, për faj të pronarit të saj-Bashkisë së Tiranës. Për shumë kohë nuk merrej vesh nëse i takonte Ministrisë së Punëve të Brendshme apo Bashkisë kjo përgjegjësi.

-Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës kërkoi konsultën e një grupi specialistësh për të parë gjendjen e digës në liqenin artificial, pra e ka njohur pronësinë apo përgjegjësinë mbi digën
Po, në fakt ajo është në varësi të bashkisë, pasi dikur i takonte Komitetit Ekzekutiv që kishte po ato funksione. Bashkia ka investuar edhe për riparimin e saj. Por që nga koha e riparimit të dëmeve kur u hap porta e digës, nuk është marrë asnjë masë tjetër. Disa ditë më parë diskutuam dhe pati mendime që ta lëmë ujin deri në një nivel të caktuar. Unë e shoh me rrezikshmëri, për arsye se edhe portat nuk komandohen. Faktikisht nga portat rrjedh pak ujë, aq sa e përcjellin tubat. Më tepër nuk japin ato. Me shirat, ngrihet niveli i ujërave dhe mund të vijë puna që të shpërthehet porta. Diga nuk rrezikohet nga këto. Ajo i ka organet e saj, ikin ujërat (po të vini re, ka ca pragje). Por problemi është se nuk ka nga të shkojë uji. Nga diga e deri në Lanë, ish-përroi është i zënë me godina, prandaj edhe ndodhi ajo përmbytje vite më parë. Për këtë situatë nuk ka asnjë përpjekje.

-Ku kalon ky përrua?
Kini parasysh stadiumin “Dinamo”, përroi kalon gati paralelisht me rrugën që shkon drejt shkollës “Vasil Shanto”. Por përroi është më në jug, kalon pranë KESH-it. Tani ajo zonë që ka qenë tokë e lirë, është e mbushur me ndërtime. Ndërtimet le të bëheshin, por rruga e përroi duhej të ishte lënë e lirë.

-Së fundi, përse ju thirri ju si Komitet i Digave, Bashkia e Tiranës? Për portat ?
Bashkia na thirri ne si specialistë, për një plasaritje në digën e Tiranës. Kjo ka ndodhur për efekt të temperaturave dhe të efektit kohë, pasi me kalimin e kohës diga ulet dhe duhet kohë derisa të stabilizohet kjo mbushje artificiale me torfë. Dhe problemi është se ulja nuk bëhet uniforme. Kjo situatë kërkon investime

-Sa janë rrjedhjet nga porta e e digës së Tiranës, që nuk janë të puthitura dhe a është kjo problematike?
Rrjedhjet nga portat e paputhitura të digës së liqenit të Tiranës janë 100 litra në sekondë. Por nuk është problematike për momentin, sepse është një sasi e vogël dhe nuk përbën problem se ikën në rrugën e vjetër. Rritja e sasisë së ujit do të ishte problematike, sepse tubat ekzistuese nuk kanë aftësi shkarkuese ta transportojnë. Duhen marrë masa, që do të thotë se duhen investime të konsiderueshme.

-Ju jeni edhe një nga projektuesit e digës së Bovillës. A keni llogaritur se çfarë ndodh nëse çahet ajo digë?
Natyrisht. Kjo është një llogaritje e detyruar. Digat çahen kur janë plot. Diga e Bovillës është 90 metra e lartë. Keni parasysh se në rast të çarjes, (kjo nuk besohet se do të ngjasë por është parashikuar pasoja sikur të ngjaste), uji del në zonë fushore, aty ku ka qenë radiostacioni. Aty do të kishte 10 metra ujë lartësi, në rast të çarjes së Bovillës. Kuptohet se sa do të hapet kjo sasi uji. Hapja e saj do të jetë në rrezen 10 kilometra.

-10 kilometra me thellësinë 10 metra?
Po piëkrisht. Por, mbani parasysh se brenda në rezervuar është thellësia 90 metra dhe kini gjithashtu parasysh, që për shkak të kësaj rreyikshmërie, digat ndërtohen sipas standardeve të larta. Digat në përgjithësi projektohen dhe ndërtohen me siguri të lartë. Shqipëria ka rreth 680 diga, nga të cilat, të mëdha janë mbi 300 diga.

Ky lajm është publikuar: 11/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›