Shkoi pa leje në dasmën e dajës, 60-vjeçari ekzekuton të birin
BERAT - Ka shkuar në dasmë tek daja pa lejen e prindërve, por kjo i ka kushtuar jetën një 40-vjeçari nga Berati. Ndërsa është kthyer nga dasma dhe ka shkuar për të punuar në arë, Vullnet Cjapi është qëlluar për vdekje nga i ati i tij, Yzeiri, i cili ka përfunduar në pranga. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut të Beratit bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 20:30 në fshatin Arrëz të komunës Poshnje. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, babai i dy fëmijëve ka shkuar në fshatin Poshnje, pasi ka qenë i ftuar nga daja i tij. Ndonëse i ati e kishte urdhëruar që të mos shkonte te kunati i tij, me të cilin ishin grindur dhe nuk flisnin prej disa kohësh, Vullneti ka thyer urdhrin dhe së bashku me të vëllanë më të vogël kanë shkuar në dasmë. Ky veprim e ka xhindosur 60-vjeçarin, Yzeir Cjapi. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë, se në mbrëmje 40-vjeçari është kthyer nga dasma dhe pasi ka pushuar për pak kohë në banesën e tij, ka shkuar në arë për të punuar. Ndërkohë, Yzeiri i inatosur ka shkuar tek djali i tij i madh dhe ka filluar të debatojë ashpër me të. "As unë dhe as jot ëmë nuk shkuam në dasmë, përse duhet të shkoje ti", - mësohet t'i ketë thënë 60-vjeçari të birit. Kaq ka mjaftuar që të ndizet sherri mes babë e bir. Pas sharjeve të ndërsjellta, Yzeir Cjapi ka marrë në banesën e tij një pushkë tip "karabinë" dhe ka qëlluar djalin e tij për vdekje. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e fshatit, të cilët kanë sinjalizuar policinë. Menjëherë, uniformat blu shkuan në vendngjarje dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore vunë në pranga autorin e krimit, i cili akuzohet për "vrasje me dashje" dhe 'armëmbajtje pa leje"
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)