19-vjeçarja i del në mbrojtje: Rashë nga shkallët
Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohet se ka goditur me mjete të forta miken e tij 19-vjeçare. Megjithatë ajo i ka dalë në mbrojtje, duke deklaruar se ishte rrëzuar nga shkallët e pallatit. Sipas të dhënave policore, gjithçka ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur Klenisa G., 19 vjeçe, është gjetur pa ndjenja dhe e plagosur rëndë në kokë në hyrje të një pallati pranë gjimnazit "Partizani" në Tiranë. Vajza u transportua menjëherë në spital, ndërsa policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para rezultoi se në pallatin ku u gjet adoleshentja e plagosur, banon miku i saj, Orgest B., 26 vjeç, i cili u arrestua menjëherë nën akuzën e "plagosjes së rëndë me mjete të forta". Mirëpo deklarata e vajzës, e cila është marrë nga oficerët e policisë pas përmirësimit të saj në spital, ka hedhur poshtë akuzën që u ngrit ndaj 26-vjeçarit. Sipas dëshmisë së 20-vjeçares, ajo nuk është plagosur nga i riu, por ka rënë nga shkallët, pasi ishte në gjendje të dehur. Ajo ka treguar se deri në orën 06:00 të mëngjesit ka qenë në shtëpinë e mikut, ku kishte konsumuar për gjatë gjithë natës alkool dhe më pas kishte dashur të largohej, por ra nga shkallët për shkak të gjendjes së alkoolizuar në të cilën ndodhej. Policia bëri të ditur se mund të pezullohet kjo ngjarje për shkak të dëshmisë së vajzës, e cila mohon të jetë dhunuar dhe se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht.