Takim rajonal në Beograd për krimin e organizuar
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jacques Barrot, deklaron në një konferencë që po zhvillohet ne Beograd se krimi i organizuar nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me Ballkanin. Barrot, sipas "Telegraf", është i mendimit se në vendet e Europës Juglindore, ky fenomen ka peshë të veçantë, sepse vë në pikëpyetje stabilitetin e kësaj pjesë të Europës dhe procesin e integrimi të saj në BE. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Minsitrisë së Brendshme dhe Drejtësisë të Shqipërisë, pavarësisht se fillimisht u mendua se nuk janë ftuar. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme shpjegojnë se nga kjo ministri ka shkuar sekretari i Përgjithshëm, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë, ka shkuar zëvendësministri. Konferenca dyditëshe po mbahet në Beograd me temën "Përballja me sfidat e kriminalitetit të organizuar dhe veprat e rënda penale në territorin e Ballkanit Perëndimor", në të cilën do të marrin pjesë dhe ministrat e Drejtësisë të vendeve në rajon. Radio Televizioni i Kosovës paralajmëroi se në konferencë do të marrin pjesë ministrat e Drejtësisë të Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë e Hungarisë. Jashtë kanë mbetur ministrat përkatës të Kosovës. Takimi, qëllimi i të cilit është forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe transnacional si kusht për procedime të suksesshme gjyqësore, u hap nga Presidenti i Serbisë, Boris Tasiç. U mbajtën fjalime edhe nga ministri serb i Policisë Ivica Daçic e ministrja e Drejtësisë, Snezhana Mallovic, si dhe ambasadori i Misionit të OSBE-së në Beograd, Dimitrios Kipreos. Në konferencë marrin pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të policive, gjyqësive dhe prokurorive të 16 vendeve, midis të cilave janë edhe Austria, Gjermania, Spanja, Suedia, Zvicra si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Europës, Europolit, Jurozhasta, Interpolit dhe OEB.
Ble. Gi.
Ble. Gi.