Vdes punëtori, policia shoqëron administratorin
Një punëtor ndërtimi ka gjetur vdekjen pasi ra nga kati i gjashtë i pallatit ku punonte. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Tiranë, kur 33-vjeçari Proletar Zeqiraj ka rënë nga kati i gjashtë i një pallati në ndërtim në Qesarak të Tiranës. Kolegët e tij e dërguan menjëherë në spital, pasi 33-vjeçari jepte shenja jete, por vdiq vetëm pak minuta pasi mbërriti në duart e mjekëve. Policia, e lajmëruar për ngjarjen, nisi menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Zeqirjat. Burime nga policia thanë për mediat se 33-vjeçari ishte punëtor i shoqërisë ndërtuese "Mihaj-Guci". Policia kreu shoqërimin e administratorit të firmës, Arjanit Mihaj, 38 vjeç, i cili u pyet si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, por pas konsultimit me prokurorin, u la të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të "shkeljes së rregullave të sigurisë në punë". Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua gjithë dokumentacioni i shoqërisë, si dhe kontrata e punës dhe sigurimeve të viktimës.