E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi ka paguar vetëm tetë milionë euro për ARMO-n

Nga Tema

“Taçi Oil” ka paguar vetëm tetë milionë euro për blerjen e ARMO-s. Burime të gazetës “TemA” saktësojnë se pagesa nuk është bërë ende, por Taçi, i cili është dhe pronari i ri i ARMO-s, nën emrin e “Anika Enterprises”, që është kompania e tij në Zvicër, ka paguar rreth 3.7 milionë euro për kompaninë “Patton Boggs”, e cila ka qenë dhe konsulentja për shitjen e kësaj kompanie dhe 4.4 milionë euro kanë shkuar në një tjetër numër llogarie, i cili mendohet të jetë një numër i ministrisë përkatëse që merret me privatizimet ose dhe numër i buxhetit. Deri më tani, lekët e ARMO-s nuk janë shfaqur gjëkundi në buxhetin e shtetit, pasi për vitin e ardhshëm nuk janë parashikuar askund lekët e këtij privatizimi të rëndësishëm.

Por, ashtu siç dhe ka paralajmëruar gazeta “TemA”, “Taçi” nuk do paguajë asnjë lek për blerjen e ARMO-s, por do e shlyejë atë më këste, thjesht duke paguar paratë që do dalin tani e tutje nga shfrytëzimi ekstrem i saj.

Madje, dhe pjesa prej 4.4 milionë eurosh, që është derdhur në llogarinë e shtetit, është pjesë e kësaj skeme, që ka nisur të funksionojë prej disa kohësh.

Burimet saktësojnë se deri më tani “Taçi” ka marrë pa pagesë nga ARMO rreth 10.000 tonë naftë virgjine; 3,000 tonë naftë D2; 1,500 tonë bitum, me një vlerë të përafërt prej 14-15 milionë USD.

Grabitja ka nisur që në ditët e para.

Nën trysninë e fituesit qeveritar, “Taçit”, shkarkohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm, Halim Dariu, inxhinier nafte me përvojë dhjetëravjeçare në sektorin e naftës në Shqipëri dhe në vend të tij emërohet nga strukturat shtetërore Drejtor i Përgjithshëm Henri Babe, ekonomist i “Taçi Oil”, pa asnjë përvojë në fushën e naftës apo të bizneseve, por me kurajë të madhe për t’iu shërbyer interesave të klaneve kontrabandiste.

Menjëherë me marrjen e detyrës, drejtori i ri, Henri Babe, lidh kontrata shitblerjeje dhe bën shtojca të tyre me shoqërinë “Taçi Oil” dhe bijën e saj, KUID, Elbasan, me justifikimin se jemi në kuadrin e kalimit të pronësisë dhe me kushtin shumë të çuditshëm, atë të prapapagimit mbas 25 ditësh. Që nga momenti i nënshkrimit të këtyre dokumenteve, klientë të shoqërisë ARMO janë vetëm “Taçi Oil” dhe KUID, që shesin të gjitha produktet e ARMO-s e që arkëtojnë paratë e mallit të ARMO-s, por fatkeqësisht paratë nuk shkojnë për ARMO-n, por për “Taçi Oil”.

I vetmi që e kundërshtoi këtë veprim abuziv e të vjedhjes në mes të ditës, drejtori i UPN, Fier, u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij u emërua një tjetër që zbaton qorrazi urdhrat e vjedhjes. Njëri drejtor urdhëron shitjen e mallrave me kontratë të rregullt e me parapagim, tjetri mbas 24 orëve urdhëron shitjen me prapapagim pas 25 ditëve. Urdhrat e tyre, të shkruar e të firmosur, njëri më datën 11 nëntor e tjetri më datën 12 nëntor, flasin shumë qartë për gjendjen, në të cilën është katandisur prona shtetërore e administruar tashmë nga “vëzhguesit” e shokut Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›