Shkolla e Magjistraturës, KLD-ja miraton emrin e Neshat Fanës
Tiranë- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar sot me votë unanime emrin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Neshat Fana, si drejtuesin e ri të Shkollës së Magjistraturës.
Më 10 korrik, Bordi i Shkollës së Magjistraturës zgjodhi me nëntë vota pro kandidaturën e Neshat Fanës, për të qenë kreu i ri i kësaj shkolle.
Zgjedhja dhe emërimi i zotit Fana, i cili njihet si një njeri i afër me qeverinë aktuale në ikje, bëhet pas shkarkimit të drejtoreshës aktuale, profesore doktore Marjana Seminit.
Semini është një person i njohur në botën akademike dhe gjithashtu në fushën e jurisprudencës.
Më 21 qershor, bordi votoi me shtatë vota pro dhe 6 kundër për ti propozuar KLD-së emrin e Seminit për të drejtuar sërish këtë shkollë. Por dy orë pas këtij propozimi, KLD-ja është mbledhur sërish në mënyrë të shpejtë dhe e ka kthyer mbrapsht këtë propozim pa asnjë argument ligjor apo proçedurial.
Në votimin e ditës së mërkurë, bordi ka deklaruar të hapur votimin, duke e përjashtuar nga gara zonjën Semini dhe duke vënë përballë njëri-tjeterit për këtë post ish-ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe anëtarin e KLD-së Neshat Fana.