Shkolla e Policisë, shpallen fituesit e testimit me shkrim për Fierin, Vlorën, Beratin e Gjirokastrën
Tiranë – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shpall fituesit e testit me shkrim për “Patrullën e Përgjithshme” të aplikantëve nga qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër. 68 personave fitues iu takon të vijojnë fazën e dytë të testimit, kalimin e provës fizike. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit testimi me shkrim i kandidatëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” nga qarqet e sipërpërmendur u zhvillua dje në ambientet e Universitetit Kristal në Fier.
Testimi
Këtij testimi iu nënshtruan 152 aplikantë nga këto qarqe, të ndarë në dy grupe. Grupi i parë që përbëhej nga aplikantët nga Qarqet Fier dhe Vlorë iu nënshtrua testimit në orën 07:00 dhe grupi i dytë që përbëhej nga aplikantët Berat dhe Gjirokastër iu nënshtrua testimit në orën 11:00. Në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 68 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Ashtu sikundër dhe në vitet e mëparshme korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. Kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen testimit fizik sot në orën 08:00 në Stadiumin e qytetit të Lushnjës. Aplikantët duhet të paraqiten ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive.
Pritet
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kujton aplikantët se për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër në datën 09 maj 2009 në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Ndërsa për qarqet Elbasan dhe Korçë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në datën 18 maj 2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. “Për gjithë të interesuarit bëjmë me dije se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit”, -përfundon njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
30 Prill 2009