E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 5 persona, shkatërrohet rrjeti i trafikantëve të drogës



KUÇOVË - Vihen në pranga 5 persona që i përkasin një rrjeti trafikantësh droge, i cili përfshin tre qytete, Kuçovë, Fier, e Vlorë. Po ashtu është zbuluar në Kuçovë edhe banesa ku presohej lënda narkotike e llojit Cannabis sattiva. Aksioni i nisur pasditen e së martës në Berat dhe ka përfunduar mesditën e së mërkurës me vënien në pranga të babë e bir, Estref dhe Ndriçim Kaci, nga Kuçova, Johan Çuko nga Fieri, Ardian Tabaku, ish polic i komisariatit të Kuçovës, dhe Elvis Aliaj nga Fieri. Policia e Beratit zbuloi një sasi prej 90 kg Cannabis sattiva, gjatë kohës që 26 vjeçari Elvis Aliaj po përpiqej ti transportonte ato me makinë nga qyteti i Kuçovës në drejtim të Fierit.
Operacioni
Agjentët e antidrogës me një automjet civil janë vënë në ndjekje të makinës tip Range Rover me targa 0971 D pas informacioneve të marra në rrugë operative. Sapo ka mbërritur në qytezën e Urës Vajgurore, drejtuesi i mjetit që transportonte drogën dyshohet se ka pikasur që ishte duke u ndjekur nga policia dhe ka goditur nga pas mjetin ku udhëtonin agjentët e drogës, të cilët kanë shpëtuar pa dëmtime. I riu ka ndërruar destinacion duke u drejtuar për në Berat por vetëm pas 1 km rrugë, si rezultat i shpejtësisë së madhe automjeti ka përfunduar në kanal. Aksioni ka vijuar paralelisht në Kuçovë, ku policia ka bllokuar në një banesë në lagjen “11 Janari”, 230 thasë të tjerë me Cannabis sattiva e papresuar, si dhe 250 degë të tjera gati për tu presuar. Ndërkohë policia po heton edhe për përfshirjen e personave të tjerë si pjesë e këtij grupi trafikantësh.
Rasti
Në fillim të këtij viti efektivat e Antidrogës organizuan operacionin “Mesfushori 1”, ku u sekuestruan 5 kg drogë dhe u arrestuan 4 persona. Të arrestuar ishin Thanas Bebi 40 vjeç lindur dhe banues në Elbasan, Gjergji Gjika 29 vjeç lindur dhe banues në Elbasan, Bexhet Hidri 40 vjeç lindur dhe banues në Elbasan, taksisit, Mikel Dima 38 vjeç lindur dhe banues në Elbasan. Arrestimi i këtyre personave u bë pas konsumimit të veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Sasia e drogës së sekuestruar rezultoi se 4 kg të ishin të tipit heroinë, që u gjet në makinën e shtetasit Bexhet Hidrit, që ishte edhe njëri prej të ndaluarve të këtij operacioni. Ndërsa pjesa tjetër prej 1 kg ishte kokainë dhe u gjet në një magazinë në Elbasan. Polica bëri të ditur se dy persona janë arrestuar në taksinë ku u gjetën 4 kg heroinë dhe dy të tjerë në një magazinë në qytetin e Elbasanit ku u gjet pjesa tjetër e drogës, e cila ishte 1 kg kokainë. Lënda narkotike e sekuestrua si provë materiale ndaj të ndaluarve, ndërkohë që ndalimi i këtyre shtetasve ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Njëkohësisht bëhet e ditur se operacioni i koduar “Mesfushori 1” është organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë në bashkëpunim me policinë e Elbasanit.

Policia dhe Arsimi, aktivitet në Gjirokastër kundër drogës

Gjirokastër – Policia dhe Drejtoria e Arsimit të qytetit të Gjirokastrës zhvilluan dje një takim sensibilizues për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për një brez të ri larg drogës, duhanit dhe alkoolit. Aktiviteti u zhvillua në Sallën e Kinoteatrit të qytetit Gjirokastër nën moton të gjithë së bashku për një “Mjedis pa narkotikë”. Në takim morën pjesë të gjithë të zgjedhurit e pushtetit vendor, shkollat e mesme dhe 9- vjeçare të qarkut, intelektualë dhe banorë të qarkut. Gjithashtu në këtë aktivitet ishte i ftuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, i cili ishte i shoqëruar nga Drejtori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njëkohësisht ishte i pranishëm edhe Drejtori i Misionit Ndërkombëtar PAMECA ,pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Takimi filloi me një ekspozitë ku ishin pasqyruar puna e nxënësve të shkollave të qarkut kundër drogës, alkoolit dhe duhanit, duke vazhduar me shpërndarjen e flet palosjeve dhe gazetës kundër drogës të përgatitura nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun. Më pas u zhvillua një bllok me mesazh nga autoritet pjesëmarrëse, duke filluar me prefektin e qarkut. Të gjithë folësit theksuan prerë se kultivimi i bimëve narkotike në qarkun e Gjirokastrës dhe më gjerë duhet të marrë fund, si dhe të gjithë së bashku të punojmë për të krijuar një mjedis pa narkotikë. Aktiviteti vazhdoi me një program që nxënësit kishin përgatitur me mesazhe kundër drogës. Në përfundim u zhvillua një koncert i përgatitur nga nxënësit për të përcjellë mesazhin se jeta është e bukur dhe e sigurt pa narkotikë.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›