Operacioni; Shisnin mall me etiketa të firmave të tjera, katër në pranga
Nga hetimi 8-mujor ka rezultuar se këto produkte të falsifikuara janë prodhuar dhe tregtuar për një periudhe 2-vjeçare, ndërkohë që dyshohet se dëmi që i ka shkaktuar shtetit shkon në shuma të konsiderueshme parash, po ashtu dhe dëmi që i ka shkaktuar subjektit tregtar “Italcol”, përllogaritet të arrijë në vlera të konsiderueshme
Përmes falsifikimit kishin arritur të nxirrnin në treg dhe të shisnin materiale ndërtimi të subjektit tregtar “Italcol”, duke i shkaktuar shtetit dëme në vlera të konsiderueshme parash. Policia e kryeqytetit, e cila i kishte për gati 8 muaj nën hetim, organizoi një operacion dhe u vuri prangat katër shtetasve, të akuzuar për mashtrime dhe falsifikime të ndryshme. Burime zyrtare policore bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit policor të koduar “Stuko”, u arrestuan në flagrancë 4 shtetas, të dyshuar si të përfshirë për veprat penale të “Prodhimit të kundërligjshëm të artikujve industrialë dhe ushqimorë”, “Mashtrim” dhe “Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve” parashikuar nga nenet 288/a, 143/2 dhe 190 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për shtetasit Avni Barjaktari, 45 vjeç, lindur në Poliçan, Skrapar dhe banues në Qesarakë, Dajt; Arjan Kona, 38 vjeç, banues në Tiranë; Agron Ramlli, 46 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë; si dhe Aurel Çezma, 34 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, specialistët e këtij seksioni, qysh në muajin tetor të vitit 2008, kanë nisur intensivisht hetimet për një subjekt i cili dyshohet se prodhon dhe tregton produkte ndërtimi, duke i falsifikuar produktin dhe ambalazhin e subjektit tregtar “Italcol”. Pas një hetimi të realizuar nga ky seksion, ka rezultuar se këto produkte të falsifikuara janë prodhuar dhe tregtuar për një periudhe 2-vjeçare, ndërkohë që dyshohet se dëmi që i ka shkaktuar shtetit shkon në shuma të konsiderueshme parash, po ashtu dhe dëmi që i ka shkaktuar subjektit tregtar “Italcol”, përllogaritet të arrijë në vlera të konsiderueshme.
Operacioni
Operacioni policor “Stuko” u shtri në disa zona të kryeqytetit, si: Rruga Ura, Kamëz, Rruga e Barrikadave dhe ish-uzina “Dinamo” në Tiranë. Me synim, finalizimin me sukses të këtij operacioni u angazhuan specialistë të Seksionit të Mbikëqyrjes dhe Vëzhgimit Operacional, si dhe punonjësit e policisë së Forcës së Posaçme të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, nga ku u realizua kapja në flagrancë e shtetasve të mësipërm. Shtetasit e vënë në pranga u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve të falsifikuara, edhe të subjekteve të ndryshme tregtare me emërtimet e produkteve “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix” etj. Gjatë organizimit dhe zhvillimit të këtij operacioni, rezultoi se vendi i stampimit dhe prodhimit të ambalazheve të produkteve të falsifikuara ndodhej brenda ambienteve të ish-uzinës “Dinamo” si dhe në ambientin e shtypshkronjës “Miq dhe paqe”. Ndërkohë, pas kontrollit të ushtruar në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan edhe lastrat e përdorura për mbishkrimet e ambalazheve, të falsifikuara. Nga kontrolli i ushtruar në subjektet tregtare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5000 thasë me produkte ndërtimi kollë dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix” etj.; 12 lastra për stampimin e mbishkrimeve tek ambalazhet e produkte ndërtimi kolle dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix” etj.; 200 thasë ambalazhi bosh për produkte kolle dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix” etj.; 290 fletë të printuara format A1 për produkte kolle dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix” etj. Po ashtu, strukturat e saj janë të vendosura për të vazhduar më tej këtë operacion, deri në eliminimin plotësisht të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave që ushtrojnë këtë veprimtari. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme ndaj tyre.