Shkollat private, provimet e maturës, në gjimnaze publike

Matura shtetërore, gjimnazistët në shkollat jopublike, provimet në mjediset e ngritura në gjimnaze publike
Vendimi i marrë nga MASH-i lidhet me numrin e vogël të maturantëve në shkollat private
Gjimnazistët që përfundojnë arsimin e mesëm në shkollat private do t'i japin provimet e Maturës shtetërore në mjedise të vendosura në shkolla publike. Ky vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, për shkak të numrit të vogël të gjimnazistëve, të cilët përfundojnë arsimin e mesëm në këto shkolla.
Numër ky që nuk përmbush kushtet e vendosura nga MASH-i në rregulloren e maturës shtetërore, në të cilën thuhet se "Për provimet e Maturës, në shkollat ku numri i maturantëve/kandidatëve është më i vogël ose e barabartë me 40, KMSH e DAR/ZA-së grupon shkollat dhe cakton mjedisin ku zhvillohen provimet", - thuhet në rregullore. Në këtë mënyrë bëhet e ditur se mjediset ku do të japin provimet maturantët do të caktohen nga Komisionet e Maturës Shtetërore që janë ngritur pranë Drejtorive Arsimore Rajonale apo Zonale.
Sipas rregullores së maturës, dje ka qenë afati i fundit që KMSH-të kanë pasur për të dorëzuar pranë MASH-it listën me mjediset ku maturantët do të kryejnë provimet. Mjediset e përzgjedhura nga KMSH-të duhet të plotësojnë disa kritere të domosdoshme, të përcaktuara nga Ministria e Arsimit në rregulloren për Maturën shtetërore 2010.
Kështu mjedisi më i vogël i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve, në bazë të rregullores, duhet të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës. Specialistët kanë vendosur që largësia ndërmjet çdo nxënësi/kandidati duhet të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri nxënës/kandidat tek tjetri. Kjo distancë do të ruhet jo vetëm para dhe prapa çdo nxënësi, por edhe majtas e djathtas.
Në rregullore, gjithashtu, është vendosur që gjatë ditës kur do të jepen provimet në shkolla të mos kryhet asnjë aktivitet tjetër. "Në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin", - thuhet në rregullore. Vç këtyre, në ambientet ku do të kryhen provimet do të merren masa edhe për kushtet e ajrimit dhe ndriçimit, ku si mjedise të përshtatshme do të pranohen vetëm ato që janë të ajrosura mirë.
Një tjetër masë e marrë nga MASH është se në klasat (apo sallat) ku nxënësit do të ulen për të dhënë provimet e Maturës shtetërore, nuk do të lejohet asnjë poster, tabelë, apo material tjetër që ka lidhje me lëndën që jepet provim. Maturantët do të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim, ndërkohë që sipërfaqja që ata do të kenë në dispozicion për të shkruar do të jetë të paktën 40 me 60 cm. Një masë e fundit është vendndodhja e mjediseve.
MASH ka vendosur që çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugë automobilistike, në mënyrë që edhe transportimi i materiale për në qendrat e vlerësimit të testeve të jetë sa më i shpejtë dhe të mos hasë në probleme të mundshme.