E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollë brenda portit të Durrësit për punonjësit

16/06/2011  Në godinën e ish-interklubit, bashkia e lakmonte për pallat shumëkatësh

XHEVAHIR GRADICA

DURRES- Në mjediset e brendshme të portit të Durrësit ka përfunduar së ndërtuari shkolla me 12 klasa, si dhe mjediset e tjera shtesë, të cilat do të shërbejnë për kualifikimin e punonjësve dhe specialistëve. Shkolla është ndërtuar në godinën e ish-interklubit dhe tashmë specialistët do të kenë salla të veçanta dhe komode me pajisje, teknologji, laboratorë dhe infrastrukturë ndihmëse në shërbim të rritjes cilësore të personelit. Kishte vite të tëra që kinoklubi ishte bërë objekt joshje e lakmie për bashkinë për shkak edhe të pozicionit të favorshëm buzë deti.

Godina

Drejtoria e Autoritetit Portual nuk lejoi që këtë godinë t’ia kalonte bashkisë, e cila mendonte ta shfrytëzonte tokën për ndërtimin e pallateve të larta dhe në një kat të tij të bënte mjedise për publikun. Bashkia kishte shumë ide ndër të cilat hapjen e një kinemaje, transferimin e bibliotekës nga qendra drejt bregdetit dhe shëtitores “Taulantia” apo sallë ekspozite. Të gjitha opsionet janë dukur të papërshtatshme për këshillin drejtues të portit që së fundi vendosi ta mbajë vet ish-kinoklubin për ta përshtatur në qendër të rëndësishme trajnimesh e shkollimi të punonjësve të vet. Shkolla e përfunduar së ndërtuari gjendet ngjitur me murin rrethues të portit në hyrjen numër 1 pranë shëtitores “Taulantia”. Me fondet e veta porti bëri rikonstruksionin e godinave në hyrje duke u kujdesuar të ruajë një pjesë të traditës së ndërtimit të dekadave të para të shekullit të kaluar në zonën historike të qytetit bregdetar. Bashkë me fasadat e dy godinave qendrore të drejtorisë së portit që janë ndërtuar në mesin e viteve 1930 është restauruar plotësisht me të njëjtin fond edhe fasada e godinës së njohur në vitet 1970 si Interklubi. Ndërtesat në hyrjen kryesore të portit janë ngritur mbi bazën e një plani rregullues urbanistik menjëherë pas tërmetit të vitit 1926 në qytetin antik, plan sipas të cilit rruga “Tregtare” që niste nga bashkia e qytetit do të përfundonte në kompleksin e godinave portuale. Zëvendësimi i pllakave të terakotës sipas modelit të viteve 1930 ka ruajtur identitetin e godinave në faqet e jashtme, ndërsa rikonstruksioni i brendshëm që ka përfshirë një sipërfaqe prej 2350 metra katrorë do të bëjë funksionale dhe moderne mjediset ku do të rikthehen së shpejti të gjitha funksionet e zhvendosura përkohësisht në një ndërtesë tjetër. Në katin e parë të së njëjtës godinë është parashikuar pajisja e mensës së punonjësve, si dhe funksionimi i 6 zyrave të agjencive të ndryshme në shërbim të qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›