E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS do të ndjekë çdo rrugë që largon Berishën”

16/06/2011  Deputeti Besnik Bare zbardh strategjinë e kampit opozitar

Partia Socialiste do ta përqendrojë sërish aksionin e saj politik tek organizimi i protestave qytetare. Ndërkohë që për startimin e tyre do të jenë pikërisht forumet drejtuese të kësaj partie që do të përcaktojnë kohën kur kampi opozitar do të thërrasë në shesh mbështetësit e tij. Kështu, nisur nga situata e krijuar mbi rezultatin zgjedhor në Tiranë, lidershipi socialist krahas rrugës ligjore sheh dhe organizimin e protestave si një tjetër mundësi për të vënë drejtësinë në vend pas tjetërsimit që i bënë këtij rezultati institucionet e përcaktuara me ligj për certifikimin e zgjedhjeve.

Strategjia

Deputeti i Partisë Socialiste Besnik Bare, duke u ndalur në aksionin politik të opozitës, veçoi faktin se protestat paqësore janë një nga elementet që socialistët do të përdorin për të shpëtuar demokracinë e rrezikuar në vend. “Sigurisht, këto janë qëndrime që normalisht duhet t’i marrë çdo forcë politike kur mungon demokracia. Ne do të mbajmë ato qëndrime politike që mban një forcë politike serioze, e përgjegjshme për fatet e vendit kur dhunohet demokracia dhe vidhen votat, kur shkelen të drejtat e njeriut. Unë them se do ketë mjete të tilla, mënyra, procese demokratike që ta detyrojnë Berishën të japë dorëheqje, ose të hapë dritën jeshile për të pasur realisht drejtësi në Shqipëri”, - vuri në dukje deputeti Bare lidhur me një çështje të tillë. Sipas tij, do të jenë forumet e partisë që do të japin dritën jeshile për veprimet që do të ndërmarrin socialistët.

Qëndrimi

Në gjykimin e Partisë Socialiste vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor, i cili pranoi pjesërisht kërkesë-padinë e opozitës duke e rikthyer edhe një herë procesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk pritet të sjellë asgjë pozitive. Sipas deputetit Bare, Bashkia e Tiranës u vodh nga mazhoranca dhe nga KQZ-ja, që zbatoi vendimet e marra në Partinë Demokratike. “Në fakt, për mua finalja është shumë e qartë: vendimi do të jetë i padrejtë, i njëanshëm. Draftvendimi është projektuar në zyrat e Partisë Demokratike, do të dhunohet demokracia në Shqipëri dhe ca më pak kur kjo kthehet mbrapsht te komisioni i Ristanit, që më shumë i ngjan një forumi të Partisë Demokratike sesa një komisioni qendror zgjedhor, i cili është i pakrahasueshëm dhe i pangjashëm me asnjë nga komisionet që janë ngritur pas viteve ’90 në Shqipëri. Bashkia është e vjedhur, nuk është e humbur. Pra, Basha do të ulet në një karrige me vota të vjedhura”, - vlerësoi kreu i PS-së së Tiranës Besnik Bare.

Seancat parlamentare

PS e vendosur të vijojë bojkotin ndaj Kuvendit

Ligjvënësit socialistë do të vijojnë bojkotin ndaj institucionit të Kuvendit. Në këtë mënyrë, pritet që deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të mos jenë pjesë e seancës së sotme parlamentare. Në këtë seancë ndër të tjera do të miratohen dhe dekretet e kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë, ku siç dihet paraprakisht disa prej propozimeve të tij u rrëzuan gjatë punimeve të Komisionit të Ligjeve, ku u morën në diskutim kandidaturat. Ndërkohë, duke qëndruar në vendimin e grupit kuvendor socialist, është deklaruar tashmë që deri në një qëndrim të ri deputetët e PS-së nuk do të jenë pjesë jo vetëm e seancave parlamentare, por as edhe pjesë e punimeve në komisionet e përhershme të Kuvendit. Kështu, që pas shpalljes së rezultatit nga ana e KQZ-së për fituesin e Bashkisë së Tiranës, ku rezultoi që kreu i ri i saj të ishte kandidati i PD-së Lulzim Basha, socialistët vendosin që si hap të parë të hedhin pikërisht bojkotin ndaj këtij institucioni. Që prej as mbledhjeje, ku u mor një vendim i tillë, në selinë rozë nuk është zhvilluar asnjë mbledhje tjetër e grupit parlamentar të PS-së. Edhe pse brenda këtij grupimi mund të ketë zëra që e kundërshtojnë një vendimmarrje të tillë, në dukje asnjë prej tyre nuk ka deklaruar për të kundërtën. Me përjashtim të deputetëve të njohur si kritikët e kryetarit Rama, të cilët e kanë thyer vendimin për bojkot të Kuvendit, duke qenë pjesë e punimeve të tij. Sa i takon pjesës tjetër, mbështetës të Ramës, bojkoti i seancave parlamentare është një mjet demokratik, i imponuar nga sjellja agresive e kryeministrit Berisha dhe kryeparlamentares Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›