AMF, tregu i pensioneve vullnetare private rritet me 37.2% në 2009
Tregu i pensioneve vullnetare private ka një tendencë rritjeje. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në vitin 2009 ky treg ka pasur një rritje të ndjeshme. Sipas AMF, tregu i pensioneve vullnetare mbetet ende një treg i vogël, parë ky si nga këndvështrimi i kontributeve dhe nga numri i kontribuuesve. Në këtë treg, për vitin 2009, shihet një rritje prej 37.26% e kontributeve dhe një rritje prej afër 14.71% e numrit të kontribuuesve, krahasuar me vitin 2008. Zhvillimi më i rëndësishëm në këtë treg për vitin 2009, ka qenë hyrja në fuqi e ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009, "Për fondet e pensionit vullnetar", i cili sjell përmirësimin e bazës ligjore për kolonën e tretë të fondeve private të pensionit vullnetar me kontribute të përcaktuara. Kuadri ligjor në fushën e pensioneve private paraqitej i vjetruar me ligjin "Për pensionet suplementare dhe institutet private të pensioneve", i cili nuk përshtatej me standardet ndërkombëtare dhe direktivat evropiane. Ligji i ri ka për qëllim përmirësimin e sistemit ekzistues të pensioneve vullnetare private në Shqipëri me ndikime të pritshme: lehtësim në planin afatgjatë të kostove sociale, duke stimuluar shtetasit të kursejnë privatisht dhe vullnetarisht për të shtuar pensionin e tyre, si dhe shtimin e nivelit të kursimit të popullatës dhe rritjen e investimeve afatgjata në vend.