E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohej nga i shoqi, pi benzinë për t’i dhënë fund jetës



Dhuna në familje vazhdon që të përbëjë një problem serioz për policinë shqiptare, e cila po punon për të luftuar këtë fenomen negativ në shoqëri. Seksioni i Posaçëm i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, ditën e djeshme ka marrë në mbrojtje dy gra, të cilat kishin pësuar dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshortët e tyre. Kjo nismë është ndërmarrë menjëherë sapo policia ka marrë dijeni se një grua ndodhet e shtruar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Shkak, sipas policisë, është bërë konsumimi i një sasie të konsiderueshme benzine, një mënyrë e zgjedhur prej saj për t’i dhënë fund jetës. Gruaja nga Golemi ka menduar të gjejë këtë mënyrë për t’i dhënë fund vuajtjeve të shkaktuara nga dhuna sistematike e bashkëshortit të saj. Mjekët janë duke bërë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën, ndërkohë që gjendja paraqitet ende kritike. Menjëherë sapo ka marrë njoftim për ngjarjen, policia e Kavajës ka arrestuar bashkëshortin e 37-vjeçares dhe e ka shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të marrë masën e arrestit. Sipas burimeve nga policia, në Tiranë ka patur dy raste të dhunës ndaj gruas, me të cilat është marrë Seksioni i Posaçëm i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje. Kështu është plotësuar një kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për shtetasen I.I., 27 vjeçe, lindur në Elbasan dhe banuese në Tiranë, pasi bashkëshorti i saj, shtetasi G.I., 33 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, në mënyrë sistematike. Rrahjet e vazhdueshmet të të shoqit e kanë detyruar 27-vjeçaren t’i drejtohet policisë, duke kërkuar mbrojtjen e saj. Ndërkohë, po sipas burimeve zyrtare policore, nga ndihmës-specialistët e policimit në komunitet pranë komisariatit nr. 2 është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për shtetasen M.D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi bashkëshorti i saj F.D., 26 vjeç, banues në Tiranë, ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Më parë 26-vjeçari ishte dënuar për plagosje të lehtë nga gjykata shqiptare. Sipas burimeve nga policia, F.D., përveç dhunës së ushtruar, e kishte kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme gruan e tij. Materialet në lidhje me këtë çështje i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, ndërsa paralelisht kësaj shtetaseje iu mor kallëzim penal për veprat penale të “dëmtimeve të tjera me dashje” dhe “kanosjes”. Gjithashtu, po sipas policisë së kryeqytetit, oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Kavajë kanë kryer dje ndalimin e shtetasit Xhemal L., 41 vjeç, lindur dhe banues në Golem. Sipas burimeve nga policia, ndalimi i tij u krye pasi ai akuzohet se e kishte shtyrë gruan e tij drejt vetëvrasjes. Kjo, pasi 41-vjeçari në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases M.L., 37 vjeçe. E ndodhur në një gjendje të vështirë psikologjike, 37-vjeçarja ka pirë një sasi lëndë djegëse, të llojit benzinë. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur të dëmtuarën dhe e kanë dërguar atë në spital, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas mjekëve, gjendja e saj është e rëndë e për pasojë kjo shtetase ndodhet në rrezik për jetën. 41-vjeçari është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës, i akuzuar për “shkaktim të vetëvrasjes”. Në Shqipëri, rastet e dhunës familjare vazhdojnë të jenë një problem serioz për policinë shqiptare. Një nga objektivat e këtij institucioni është parandalimi i këtij fenomeni. Për këtë janë ngritur struktura të posaçme dhe gjithashtu është aprovuar nga shteti shqiptar një ligj i ri, për t’iu ardhur në ndihmë personave të dëmtuar. Mirëpo, sipas burimeve zyrtare nga policia, shpesh hasin në probleme me denoncimet e grave të dhunuara, pasi sapo shkojnë burrat para gjykatës, ato ndryshojnë mendje për shkak të fëmijëve apo duke u dhënë një mundësi të dytë atyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›