Gjenevë, zhvillohet Konferenca për Racizmin, Ban Ki Mun, i zhgënjyer
Blerina Olldashi
Edhe pse shumë shtete e bojkotuan takimin, dje në Gjenevë të Zvicrës zhvilloi punimet Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Racizmin Durban II. Punimet i hapi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, i cili e cilësoi islamofobinë një formë të racizmit. Në këtë takim, Ki Mun kritikoi mungesën vendeve që nuk morën pjesë, për të cilat tha se ndihej i zhgënjyer. SHBA-të, Gjermania, Holanda, Australia, Kanadaja, Izraeli dhe Italia bojkotuan konferencën pasi i tremben manifestimeve antisemitiste dhe kritikave për Izraelin, ndërsa kontestojnë dokumentin final të saj. Sekretari Ban Ki Mun tha se ai është një tekst i balancuar dhe se vetë takimi synon të ulë tensionet. Projektdeklarata që do të miratohet ka shkaktuar polemika të shumta. Ajo përmban një paragraf që bën fjalë për çështjen e nxitjes së urrejtjes fetare. Vendet myslimane duan që ky paragraf të mbetet në tekstin përfundimtar, ndërsa disa vende perëndimore, ndër të cilat SHBA-të, e shohin atë si shkelje të lirisë së fjalës.
Në konferencë mori pjesë presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i cili nuk ngurroi të sulmonte Shtetet e Bashkuara për një politike të jashtme raciste, duke i bërë edhe përgjegjëse për krizën ekonomike botërore. Delegatët e vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve braktisën sallën pikërisht kur do të fillonte fjalimi i presidentit iranian.
Konferenca e OKB-së kundër racizmit për javë të tëra ka shkaktuar debate të shumta. SHBA-të e kanë bojkotuar konferencën e kontestueshme, ndërkohë që edhe qeveria gjermane vendosi të mos merrte pjesë në të. Shqetësimet nga mundësia e dënimit të njëanshëm të Izraelit dhe paraqitja e presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, bënë që shumë shtete të anulonin pjesëmarrjen e tyre në Konferencën e OKB-së.
Në Konferencën e mbajtur në vitin 2001, vendet e Ligës Arabe e akuzuan Izraelin se është shtet racist. Shumë kritikë u shprehën se konferenca që ishte parashikuar të luftonte racizmin u shndërruar në një tubim që nxiti racizmin. Grindjet rreth konferencës së Kombeve të Bashkuara kundër racizmit kanë histori të gjatë. Që në vitin 1978, në Konferencën e parë, Izraeli u sulmua hapur. Kështu ndodhi edhe në Gjenevë, në vitin 1983. Delegacionet e braktisën Konferencën, ose nuk morën pjesë në punimet e saj. Ndërsa në Durban gjendja u acarua kur negociatorët u përpoqën që të shmangnin më të keqen, por përpjekjet mbetën të kota.
21 Prill 2009