Persona të panjohur vjedhin ikonat e kishës së “Shëngjergjit” në Gjirokastër
Gjirokastër – Vidhen ikonat e kishës së “Shëngjergjit” në Gjirokastër, policia nis hetimet për të identifikuar autorët.
Vjedhja është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga kujdestari i kishës, i cili ka lajmëruar menjëherë Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Forca të shumta policia kanë mbërritur pranë kishës, që ndodhet në qendër të fshatit Jorgucat të rrethit Gjirokastër. Burime nga policia thanë për gazetën se gjatë natës janë vjedhur me thyerje 7 Ikona, nga të cilat 2 Ikona i përkasin shekullit XVIII dhe 5 Ikona i përkasin shekullit XX. Vjedhja është kryer me thyerje duke thyer çelësin e derës së jashtme. Përveç Ikonave nuk është vjedhur asgjë tjetër. Për këtë ngjarje janë angazhuar një numër i madh i forcave të policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të gjithë Specialistët e Seksionit të Krimeve Kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Policia ka grumbulluar informacion në rrugë operative dhe disponon të dhëna për persona konkretë që për arsye hetimi nuk bëhen të ditur dhe po punohet për kapjen e tyre.
8 Qershor 2009