E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Adrion Livex -09", 6 anëtarë të NATO-s në një stërvitje të përbashkët detare



Tiranë - Forcat Ushtarake Detare të vendeve që lagen nga detet Adriatik dhe Jon do të fillojnë sot në ujërat territoriale të vendit tonë stërvitjen me emrin e koduar “Adrion Livex –09”. Burime zyrtare nga komanda e Brigadës Detare me qendër në Durrës, bënë të ditur se stërvitja do të vazhdojë nga 7-12 qershor dhe në të do të marrin pjesë mjete lundruese dhe forca ushtarake detare nga Shqipëria, Kroacia, Italia, Greqia, Sllovenia, që kanë statusin e anëtarit të NATO-s si dhe nga Mali i Zi. Sipas të njëjtit burim, mjetet lundruese ushtarake të vendeve pjesëmarrëse do të mbërrijnë sot në mbrëmje në portin detar të Durrësit, ndërsa stërvitja e përbashkët “Adrion Livex-09" do të realizohet në gjirin detar të Vlorës. Gjatë qëndrimit në vendin tonë janë programuar edhe vizita të ushtarakëve të vendeve fqinje në disa nga pikat muzeale dhe arkeologjike të Durrësit dhe Krujës. “Kjo është stërvitja e tretë ushtarako-detare, në të cilët anijet e Flotiljes sonë marrin pjesë si anëtarë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut Verior”-, thanë burimet e mësipërme. Në muajt prill dhe maj u realizuan stërvitja e përbashkët “Albania-Lions ‘09", së bashku me anijet dhe ushtarakët holandezë, si dhe stërvitja SHBA-Shqipëri "JECT ‘09".

Ndotja nga solari, ushtaret e Bunavisë pastrojnë pyllin e Sodës

Vlorë - Ushtaret e repartit të Bunavisë në Vlorë kanë nisur pastrimin e plazhit të Pyllit të Sodës, pas ndotjes që iu bë kësaj zone nga hedhja e mbetjeve të solarit. Autoritetet e mjedisit thanë se ambienti do të vetëpastrohet, ndërkohë që ekspertët e cilësuan këtë ngjarje si katastrofë. Derdhjet e naftës jo vetëm që ndotën zonën, po shkaktuan edhe dëme kolosale në gjallesat nënujore në këtë zonë.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›