E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e taksapaguesve, administrata ka shpërdoruar 1.5 miliardë lekë



Ervin KOÇI

Të gjithë shtetasit shqiptarë njëkohësisht dhe taksapagues, që interesohen ndonjëherë për kureshtje se ku përfundojnë paratë që ata i paguajnë shtetit në formë taksash, mjafton t’i hedhin një sy raporteve periodike të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të marrë një përgjigje. Gjatë vitit 2008, Administrata shtetërore i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 1.5 miliardë lekësh, kjo si pasojë e abuzimeve dhe shpërdorimeve që u janë bërë parave të dhëna në formë fondesh. Por edhe pse dëmi evidentohet nga specialistët e KLSH-së dhe raportohet në institucionet e shtetit duke u bërë publik edhe në media, përgjegjësit për këto shkelje dhe abuzime me paratë e taksapaguesve mbeten anonim. Zhdëmtimi i plotë i kësaj shume ka shkaktuar debate dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, mes kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, gjatë raportimit lidhur me buxhetin faktik të ekonomisë. Kreu i KLSH-së ka theksuar se duhet një reformë e thellë në sistemin gjyqësor me qëllim përmirësimin e tij, për shkak të mangësive që ka ky sistem. Sipas tij, mangësitë duken edhe në ato raste kur KLSH-ja propozon masat disiplinore ose çon për ndjekje penale individët që kanë kryer shkelje në dëm të shtetit, por ndërkohë ata nuk ndëshkohen e madje qëndrojnë edhe në detyrat që kanë pasur. Kjo gjë ka qenë dhe thelbi i debatit me Ministrin e Financave i cili nuk i ka pranuar pretendimet e kreut të KLSH-së.

Debati

“Duhet të gjejmë një mënyrë për këta që kanë shkelur ligjet e shtetit të paguajnë për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit. Nuk mund ti lemë kështu thjesht me rekomandimet e KLSH-së me vërejtje apo me propozimet që mund të bëhen për largim nga puna. Këta duhet të mësojnë të zhdëmtojnë arkën e shtetit. Ka ardhur një kohë që gjendja duhet të ndryshojë”,- u shpreh kryetari i KLSH-së Robert Çeku. Kreu i KLSH-së e ka konsideruar të parakohshme edhe krijimin e Gjykatës Administrative, institucionit të pavarur që do të zgjidhë konfliktet shtet-biznes. Por deklaratat e tij ka hasur në replikat e Ministrit të Financave, sipas të cilit është e pamundur për të ndëshkuar të gjithë kundravajtësit ose abuzuesit me fondet shtetërore pasi më parë ato duhen verifikuar. “Ju na bëni një propozim që këto të arkëtohen në mënyrë të menjëhershme nga buxheti i shtetit, por të drejtën e ankimimit e ka çdo individ dhe nuk mund ti presim rrugët për të shkuar në gjykatë. Ne vazhdojmë të mbartim akte të cilat nuk mund të ekzekutohen. Nga e gjitha dosjet me raste që KLSH prezanton dhe që e ndjekim në rrugë gjyqësore na dalin zero”- theksoi ministri Bode. Të dy raportet konfirmojnë njëri-tjetrin dhe zbulojnë se dëmi që i është shkaktuar buxhetit ka qenë 1.5 miliardë lekë.

Kontrollet

Një pikë tjetër e diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë ka qenë ajo për kontrollin e bizneseve VIP nga ana e KLSH-së. "Brenda dy muajve si pasojë e presionit që ka bërë Brukseli do ti propozojë një projektligj Komisionit të Ekonomisë që KLSH-ë të kontrollojë edhe në kompanitë tatim-paguese të mëdha ose bizneset VIP",- ka deklaruar kreu i KLSH-së, Çeku. Shqipëria njohu gjatë vitit të kaluar një rritje ekonomike, pavarësisht krizës ekonomike botërore. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, rritja ekonomike për 2008 që kapi nivelin 8 për qind, u mbështet nga një volum i madh investimesh publike, si edhe përmirësimit të klimës së biznesit. Çeku nuk ka nguruar të bëjë një deklaratë të fortë edhe për pushtetin vendor. "Po ti referohemi statistikave që kemi ne pushteti lokal në formë figurative ka rolin e 'çakallit'. Dëmet më të mëdha për fondet e shtetit, i kryen pushteti lokal. Shkeljet që ne gjejmë në pushtetin lokal nga viti në vit kanë tendence të rriten. Prandaj them që kryetarët e komunave kanë rolin e çakallit", deklaroi ai. Duke folur për pushtetin vendor, Bode tha se fondet e marra i kanë përdorur më së shumti për rroga apo shpenzime të tjera në funksion të stafit, sesa për investime për rritjen e mirëqënies së komunitetit. “Qeveria e ka rritur niveli e granteve konkurruese por pushteti vendor i ka përdorur për shpenzime operative”,- tha ministri Bode.

Çeku: “Krijimi i Gjykatës Administrative, e pavlefshme”

“Me gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor shqiptar Gjykata Administrative do të jetë e pavlefshme”. Ky ka qenë reagimi i djeshëm i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, i cili mendon se ajo do të jetë një hallkë më shumë në një sistem të korruptuar, duke u bërë zëri i parë publik kundër kësaj gjykate që pret miratimin e Kuvendit. Sipas tij, "në qoftë se sistemi gjyqësor nuk pëson një hop cilësor të dukshëm, të shtosh gjykatën administrative, nuk do bëni gjë tjetër vetëm se do të shtoni një hallkë në këtë sistem ta themi copë, të korruptuar. Asgjë nuk keni për të bërë, në gjykimin tim. Duhet të përsoset njëherë ky sistem që kemi, se sa apriori do të shtoni dhe një hallkë tjetër e cila do të zbatojë praktikën që zbaton ky tjetri. Madje më keq, në qofte se do të jetë me cikël të mbyllur në gjykimin tim, ju do ti jepni pushtet një trupe gjyqësore të bej çfarë të dojë me biznesin". Duke folur për marrëdhëniet e institucionit të tij me gjykatat, Çeku nuk ka kursyer as rezervat për Gjykatën e Lartë. "Me përjashtim të ndonjë rasti sporadik me shifra shumë të vogla, pushteti gjyqësor nuk merret seriozisht me problemet tona. Unë bëj të paktën një gjë, që mund të bëj rekurs në Gjykatën e Lartë, deri këtu mund të shkojë KLSH-ja. Gjykata e Lartë s'bën asgjë, gjykata e lartë s'kthen as përgjigje, as mirë, as keq. Kjo është e vërteta",- deklaroi Çeku. Deklaratat e kreut të KLSH-së u bënë dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ku është paraqitur raporti i KLSH-së për vitin 2008.

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›