E Diel, 1 Nëntor 2026

Mikrondërmarrjet, bilanc të thjeshtuar deri në 2 milionë lekë xhiro në vit



Ervin KOÇI

Mikrondërmarrjet me statusin e personit fizik që realizojnë një qarkullim vjetor deri në 2 milionë lekë në vitin e fundit financiar, do të mbajnë kontabilitetin e thjeshtuar, me regjistrim të njëfishtë, në baza monetare. Qeveria ka miratuar vendimin që përcakton kriteret për mbajtjen e kontabilitetit dhe hartimit të pasqyrave financiare nga mikrondërmarrjet, ku këto subjekte pavarësisht nga forma juridike, do ta mbajnë kontabilitetin sipas të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara. Mikrondërmarrjet me statusin e personit fizik dhe me një xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë, për të cilat raporti kosto-përfitim nga mbajtja e kontabilitetit është jo i favorshëm, janë të detyruara nga ligji i ri që të paraqesin bilancet e kontabilitetit. Prandaj për këto njësi kërkohet të mbajnë kontabilitetin e thjeshtuar me regjistrim të njëfishtë mbi baza monetare. Grupi tjetër i mikrondërmarrjeve, pavarësisht nga forma juridike, që nuk bëjnë pjesë në këtë grup, janë ato me një qarkullim vjetor nga 2 deri në 10 milionë lekë. Relacioni sqaron se këto njësi do ta mbajnë kontabilitetin sipas të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara, për faktin se kostot në raport me përfitimet nga mbajtja e kontabilitetit janë të vogla si dhe për faktin se këto njësi janë dominuese në strukturën e ekonomisë sonë.

Procedurat

Këto njësi do të mbajnë kontabilitet sipas të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara, por nuk do të zbatojnë kërkesat e standardeve kombëtare të kontabilitetit (SKK), si nga pikëpamja e vlerësimeve, ashtu dhe nga numri i pasqyrave financiare që përgatiten nga këto standarde, por sipas një standardi kontabël të posaçëm, që do të përgatitet nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit. Informacioni që do të përgatitet nga këto njësi do të jetë i mjaftueshëm për marrjen e vendimeve nga përdoruesit e interesuar. Pikërisht Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me vendimin e qeverisë të majit të këtij viti ka përcaktuar kriteret për mbajtjen e kontabilitetit dhe hartimin e pasqyrave financiare për mikrondërmarrjet. Vendimi i Këshillit të Ministrave nënvizon faktin se mokrindërmarrjet, sipas përcaktimit të bërë në ligjin e muajit tetor të vitit 2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, i ndryshuar, nuk janë të detyruara të zbatojnë standardet kombëtare të kontabilitetit. Këto ndërmarrje e mbajnë kontabilitetin dhe i hartojnë pasqyrat financiare sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit dhe të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndryshimet

Ndryshimet janë bërë me qëllim që tu lehtësohet kostoja e përgatitjes së bilanceve ndërmarrjeve të vogla, të cilat duhet të bëhen nga ekspertët dhe programet e specializuara. Në relacionin për ndryshimin e bilanceve të këtyre ndërmarrjeve theksohet se për këto shtesa dhe ndryshime të propozuara, nismëtar është Këshilli i Kombëtar i Kontabilitetit, i cili merret me hartimin dhe monitorimin e standardeve kombëtare të kontabilitetit. Zbatimi i këtyre standardeve nga mikrondërmarrjet ka një kosto të lartë që duhet të përballohet nga këto njësi, të cilat, sipas ligjit, kanë më pak se 10 persona dhe kostoja ka një bilanc jo më shumë se 10 milionë lekë. “Këto kosto nuk e përligjin në asnjë rast përfitimin e ulët që kanë mikrondërmarrjet nga informacioni apo pasqyrat financiare të përftuara nga zbatimi i standardeve kombëtare të kontabilitetit”, - thekson relacioni. Ndryshimi vjen pesë muaj pas miratimit të ligjit për funksionimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që caktonte numrin e punonjësve dhe bilancet financiare. Ligji i ri solli një ndarje të re për këto lloj biznesesh. Emërtimi i ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe mikrondërmarrjeve, sipas ligjit të miratuar në tetor të vitit të kaluar, bëhet mbi bazën e numrit të të punësuarve dhe bilanceve financiare vjetore. Numri i të punësuarve korrespondon me numrin e njësive vjetore të punës me kohë të plotë.

Bankat private rritin kredidhënien në lekë

Sistemi bankar ka ndërmjetësuar rritjen e kredisë në lekë për sektorin privat dhe publik me ritme pozitive. Ngadalësimi i ritmit të kreditimit të ekonomisë në valutë dhe oferta më e ulët e prurjeve valutore nga sektori i jashtëm kanë rezultuar në një ritëm negativ vjetor të rritjes së depozitave në valutë të sistemit. Kredia për sektorin privat u rrit me 15.8 për qind në terma vjetorë nominalë, nga 17.9 për qind në qershor. Kredia për biznesin ka dhënë kontributin kryesor në rritjen mujore të kredisë, një fenomen ky i përhershëm, por që këtë muaj vjen veçanërisht më i theksuar. Kredia në lekë ka ruajtur normën mesatare të rritjes vjetore gjatë këtij viti, prej rreth 28-30%, por ngadalësimi i kredidhënies në valutë ka sjellë uljen e ritmit të rritjes së kredisë.

Bojaxhi: “Nuk ka krizë energjetike, vetëm avari në rrjet”

Drejtori i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, ka dhënë garanci se nuk do të ketë krizë energjetike. Gjatë një vizite në hidrocentralin e Vaut të Dejës, Bojaxhi e cilësoi situatën hidrike të favorshme. "Drita ka pasur dhe do vazhdojë të këtë", tha Bojaxhi. Drejtori i KESH përuroi brenda ambienteve të HEC-it të Vaut të Dejës qendrën e edukimit të energjisë. E para e këtij lloji në Shqipëri, ajo është konceptuar në formën e një laboratori shkollor ku nxënësit të njihen me rëndësinë e energjisë dhe ekonomizimin e saj. "Kjo qendër është ngritur për ti treguar nxënësve se si menaxhohet kaskada, problemet që ka, të mirat, defektet që janë bërë në kaskadë gjatë ndërtimit të saj përpara 40 vjetësh dhe se si ne duhet ti riparojmë ato defekte gjatë viteve të ardhshme", vijoi Bojaxhi.

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›