E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali-Shqipëri, projekte të përbashkëta në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës



"Perspektiva të reja të bashkëpunimit shqiptaro-italian dhe zhvillimit në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës", ishte tema kryesore që u diskutua dje në Konferencën Ndërkombëtare, për urbanizimin e Shqipërisë, që u organizua nga Ambasada Italiane në Tiranë. Aktiviteti u organizua në kuadër të javës së bashkëpunimit universal, shkencor dhe teknologjik Itali-Shqipëri. Në të merrnin pjesë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D'Elia, atasheu ekonomik i ambasadës Italiane, Adriano Ciani, përfaqësuesi i Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit, Agim Mero, Prof. Maria Adriana Giusti nga Universiteti Teknik i Torinos, si dhe një përfaqësi e nivelit të lartë arkitektësh dhe ndërtuesish nga Piemonti (Iatli). Ambasadori D'Elia, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë që ekziston në një spektër të gjerë fushash, midis dy vendeve, dhe vuri theksin në perspektivat e reja për zhvillimin urban të Shqipërisë, mbështetur, në praktikat dhe projektet më të mira që ndërtuesit dhe arkitektët italianë kanë zbatuar kryesisht në qendrën e Tiranës. “Në një kohë që vendi juaj,- tha ambasadori D'Elia, - ka hyrë në një rrugë të re zhvillimi, mundësitë e bashkëpunimit arkitektonik dhe urbanistik, janë të shumta. Ambasadori solli në vëmendje të pjesëmarrësve, punët e arkitektëve italianë, që sot ngrihen në qendrën e Tiranës, si Bankën Kombëtare Shqiptare, Hotel “Dajtin”, Pallatin e Brigadave etj, dhe ftoj biznesin ndërtues italian për të ndërmarrë projekte të përbashkëta me ndërtuesit shqiptarë. Konferenca vijoi punimet, me prezantimin e prof. Maria Adriana Giusti, e cila prezantoi përmes fotove që i përkasin 10-vjeçarit të dytë të nëntëqindës deri në vitin 1943, veprimtarinë e arkitektëve italianë në Shqipëri. Ajo propozoj krijimin e një Muzeu të Arkitekturës në Tiranë, si pikë takimi ideal për sipërmarrësit e bizneset.

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›