E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO përgëzon Shqipërinë, shpall në kërkim Edi Ramën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, dje në Tiranë e ka cilësuar si të suksesshëm vitin e parë të Shqipërisë në aleancë, ka rikonfirmuar legjitimitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe ka shpjeguar pse s’ka takuar asnjë përfaqësues të opozitës. “Opozitën shqiptare është e vështirë ta takosh, sepse ajo nuk gjendet në parlament”, ka deklaruar dje Rasmussen, duke artikuluar i pari qendrimin e Perëndimit ndaj Edi Ramës e PS si “një opozitë në kërkim”

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen është shprehur dje në Tiranë në takimet e zhvilluara me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, se zgjedhjet e 28 qershorit ishin të lira dhe të ndershme, dhe se ndërkombëtarët e kanë certifikuar procesin.
Gjatë një konference për shtyp, pas takimit me kryeministrin Berisha, Rasmussen, informoi se është në të mirën e Shqipërisë që opozita të jetë në parlament. “Opozita duhet të zerë vendin e saj në Kuvend. Nuk dua të përzihem me çështje të brendshme politike, por shpresoj që të gjitha partitë politike të jenë të angazhuara pozitivisht. Komuniteti ndërkombëtar e ka njohur mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet. Bazuar në eksperiencën time mendoj se rruga më e mirë është të gjitha grupet politike të angazhohen pozitivisht, duke përfshirë edhe opozitën, duke përfshirë marrjen pjesë në Kuvend”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Rasmussen vlerësoi Shqipërinë për suksesin e saj në vitin e parë në NATO. “Ne vlerësojmë angazhimin tuaj në Aleancë, dhe kontributin tuaj në Afganistan”, tha ai.
Rasmussen tha se në takim u diskutua situata në rajon. “Mirëpres vendimin e ministrave të Jashtëm për t’i ofruar Bosnjes një plan veprimi për anëtarësim”, shtoi ai.
Rasmussen tha se shpresonte të shihte përmirësim në raportet Serbi-NATO. Sa i përket Kosovës, Rasmussen pohoi se situata mbetet e brishtë.
“Ne kemi vendosur të reduktojmë trupat e KFOR-ti, por gjithçka mbi bazën e një analize politike e ushtarake. Nuk do marrim asnjë hap që mund të ketë ndikim negativ në siguri”, theksoi ai.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë Berisha tha se ka njohur kreun NATO-s Rasmussen me reformat e qeverisë dhe përpjekjet e Shqipërisë për të intensifikuar bashkëpunimim ne NATO-n.
“Qeveria do bëjë çdo reformë, do marrë çdo vendim për plotësuar detyrimet e saj si anëtare e NATO-s”, tha ai.
Berisha deklaroi se në takim u diskutua për zhvillimet në rajon.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha deklaroi se opozita është e mirëpritur në Kuvend.
“Së bashku me opozitën kemi bërë reforma të jashtëzakonshme. Mbetem i hapur për bashkëpunim të ngushtë për të vazhduar bashkë me ta reformat”, nënvizoi ai.
Kreu i qeverisë u shpreh pro mburojës antiraketore në Shqipëri.
Gjithashtu Berisha dhe Rasmussen, kanë diskutuar edhe në lidhje me ligjin për SHISH. Rasmussen shtoi se i gjithë legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me standardet e NATO-s.
“Konfirmoj se kam biseduar me kryeministrin Berisha dhe sot diskutuam edhe këtë çështje. Nuk komentoj në çështjet e Shërbimit Sekret e Sigurisë. Por kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me rregullat e NATO-s”, tha Rasmussen.

Kreu i NATO-s shpjegon arsyet e mospërfshirjes në axhendë të takimit me Edi Ramën

“është e vështirë të takosh opozitën kur ajo rri në rrugë”

“S’kam planifikuar takim me Edi Ramën. është e vështirë që ta takosh opozitën kur ajo nuk është në Parlament”. Kështu është shprehur dje Sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen gjatë intervistës televizive dhënë Ora News. Duke u ndalur te axhenda e tij, specifikisht tek mospërfshirja e një takimi me kreun e opozitës, Rasmussen tha se s’e kishte planifikuar një ndalesë tek selia socialiste, për sa kohë kjo nuk gjendet në parlament.
Rasmussen theksoi se e inkurajon opozitën që të aktivizohet pozitivisht dhe aktivisht në jetën politike të vendit dhe të jetë e pranishme në Parlament.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s përmes një mesazhi drejtuar qeverisë dhe opozitës theksoi se duhet të gjendet një mënyrë për t’u angazhuar në parlament dhe theksoi rëndësinë madhe për konsensusin e gjerë në parlament dhe në shoqërinë shqiptare si një vend anëtar i NATO-s.
Përsa i takon kontributit real të Shqipërisë në NATO, Rusmussen theksoi se një nga angazhimet konkrete është se vendi ynë ka luajtur një rol të madh në Afganistan dhe se qeveria shqiptare i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së NATO- për një shtesë trupash dhe kjo është sipas tij është një kontribut konkret.
Rasmussen vuri në dukje se një kontribut tjetër ka dhënë në arenën politike pasi me perspektivën euroatlantike ka luajtur një rol konstruktiv për stabilitetin në rajon.
Gjithashtu shefi i NATO-s, theksoi se është një kënaqësi e madhe që ai ka vizituar Tiranën pasi vendi ynë ka festuar 1-vjetorin e anëtarësimit në NATO duke theksuar se përgëzon kontributin e forcave shqiptare në Afganistan.
Për sa i përket raportimit të mediave për vizitën në Shqipëri të drejtorit të zyrës së sigurisë në NATO-s Michael Turner Evanoff, Rasmussen theksoi se është diskutuar për çështjet e sigurisë por edhe të dialogut me qeverinë shqiptare.
“Ne bëjmë dialogë të tilla në ndonjë rast me vendet anëtare, kjo për një çështje specifike”, deklaroi më tej, Rasmussen.

Topalli- Rasmussen

“Parlamenti ka pasur angazhim të thellë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”

Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Z. Anders Fogh Rasmussen, në vizitën e tij të parë në Tiranë, në një vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
“Kjo është një ditë e veçantë të presim në Parlamentin Shqiptar, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, pikërisht një vit pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO” - tha kryetarja e Parlamentit, duke i uruar mirëseardhjen në Kuvend, Anders Fogh Rasmussen.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se vlerëson dhe përshëndet përpjekjet e Rasmussen në proceset transformuese të Aleancës më të madhe në historinë e globit, në mbrojtje të paqes dhe lirisë.
Kreu i NATO-s, Rasmussen, duke falënderuar për mikpritjen e ngrohtë dhe miqësore të rezervuar nga kryetarja e Kuvendit u shpreh se “vizita ime këtu është e një domethënie te veçantë, vetëm një vit pas datës historike të anëtarësimit tuaj në NATO. Kam kënaqësinë e veçantë që në kuadër të vizitës time, vizitoj Parlamentin e Shqipërisë, si një institucion që ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe ka pasur një angazhim të thellë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, u shpreh ai.

Imami-Rasmussen

“Shqipëria, arritje në rrugën e reformimit të Ushtrisë”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen vlerëson arritjet e deritanishme në FA Shqiptare, gjë e cila, theksoi ai, dëshmon për përkushtimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Këtë konstatim dha dje shefi i Aleancës gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami.
Ai vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin dhe angazhimin e Shqipërisë ndaj Aleancës, duke nënvizuar sidomos kontributin e trupave tona ushtarake në misionet paqes në botë, sidomos në Afganistan.
Rasmussen duke mbështetur ekspozenë që i bëri ministri Imami për zhvillimet aktuale dhe planet e ardhshme të FA Shqiptare, vlerësoi edhe njëherë angazhimin e plotë të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes në proceset integruese dhe theksoi se vështirësitë që po kalojmë nuk do të pengojnë për zhvillimin dhe transformimin e FA.
“Ju duhet të vazhdoni punën për transformimin e Forcave të Armatosura që ato të bëhen më të lëvizshme dhe më fleksibël”, tha ai.

Meta- Rasmussen

Të gatshëm të shtojmë kontributet ushtarake përkrah NATO-s

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, gjatë vizitës disaorëshe që ky i fundit zhvilloi në Shqipëri. Meta dhe Rasmussen kanë diskutuar mbi situatën në rajon, zhvillimet në Afganistan, konceptin e ri strategjik si dhe mbi reformimin e Aleancës.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shprehu angazhimin e plotë të Shqipërisë për të kontribuar ne misionet e NATO-s jo vetëm në rajonin tonë por gjithashtu edhe jashtë kufijve të Aleancës, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë mbi Afganistanin.
Në kuadër të zhvillimeve rajonale, Meta shprehu vlerësimin e tij për rolin e KFOR-it për stabilizimin e situatës në Kosovë si dhe vlerësoi politikën e dyerve të hapura të Aleancës, duke theksuar se kjo perspektivë duhet t’i hapet në veçanti Bosnje-Hercegovinës për vetë rëndësinë që ky proces ka për integrimin Euro-Atlantik të vendit.
Gjithashtu, Meta theksoi se koncepti i ri strategjik i NATO-s, duhet të afirmojë parimet bazë të Aleancës: konsensusin, solidaritetin, mbrojtjen kolektive, dhe në këtë kuadër shprehu bindjen se Neni 5 duhet të mbetet baza e funksionimit të Aleancës.
Lidhur me Afganistanin, Meta vuri theksin te kontributi në rritje i Shqipërisë në kuadër të Operacionit ISAF dhe ritheksoi angazhimin e saj për të shtuar kontributet si ushtarake ashtu edhe civile në të ardhmen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen vlerësoi maksimalisht kontributin aktual të Shqipërisë në Afganistan si dhe angazhimet shtesë të saj. Gjithashtu ai theksoi se trajnimi dhe arsimimi janë elemente kyçe në zbatimin e strategjisë së tranzicionit.
Lidhur me konceptin e ri strategjik, Rasmussen nënvizoi se Neni 5 duhet të mbetet bazë e funksionimit të Aleancës duke shtuar se sot rreziqet dhe sfidat për sigurinë, lindin edhe në hapësira jashtë kufijve të vendeve anëtare.
Lidhur me reformën e NATO-s, ai shprehu angazhimin e tij për të rritur efikasitetin e Aleancës në të ardhmen për t’iu përgjigjur sfidave të reja për sigurinë e përbashkët.
Në përfundim, Rasmussen vlerësoi rolin tepër konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shprehu sigurinë se e ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit është në gjirin e strukturave Euro-Atlantike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›