Ndërhyn në Hipotekë për një certifikatë, pranga juristit të Qarkut
ELBASAN - Ndërhyrja për t'i siguruar një dokument pronësie një shtetasi çon në pranga juristin e Këshillit të Qarkut. Policia e Elbasanit bëri të ditur arrestimin e 28-vjeçarit Arsim Berisha, me akuzën e korrupsionit, pasi sipas saj, ka përfituar si ryshfet një shumë prej 200 mijë lekësh. Burimet zyrtare të policisë thonë se Berisha punonte në zyrën juridike të këtij institucioni prej 6 muajsh. Pak kohë më parë, sipas akuzës, ai kishte rënë dakord për t'i dalë garant kundrejt shpërblimit një banori të Bradasheshit që të përfitonte certifikatën e pronësisë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Elbasan, duke shkelur afatet e përcaktuara në ligj. Bashkë me juristin është arrestuar dhe një 23-vjeçar, i cili ka bërë rolin e sekserit në dhënien e parave. Sipas policisë, dy personat u arrestuan në flagrancë, duke numëruar paratë brenda makinës së Berishës, në afërsi të qendrës së qytetit. Pas arrestimit të dyfishtë, policia e Elbasanit pohoi se janë nën hetim dhe zyrtarë të Hipotekës, pasi dyshohet se dhe ata janë pjesë e korrupsionit, duke nxjerrë certifikata kundrejt parave. a.k