Puset e naftës jepen me koncesion
KUçOVE - Kompania kanadeze "Bankers Petroleun" e zgjeron më tej hartën e saj të shfrytëzimit me koncesion të puseve në zonat naftëmbajtëse shqiptare. Prej disa vjetësh kjo kompani shfrytëzon zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, por tashmë do të nisë punën edhe në zonën naftëmbajtëse të Kuçovës. Pas kontratës së lidhur muaj më parë mes drejtuesve të kësaj kompanie të huaj dhe Ministrisë së Ekonomisë ka nisur këto ditë edhe vënia në zbatim e marrëveshjes koncesionare. Burime të Qendrës së Prodhimit të Naftës në Kuçovë bënë të ditur se nënshkruesit direkt të marrëveshjes janë "ALBPETROL" dhe METE. Burime nga Qendra e Prodhimit të Naftës në Kuçovë u shprehën se "Bankers Petroleun" ka nisur të sjellë në zonën naftëmbajtëse agregatet e parë të shfrytëzimit me presion të puseve ekzistuese, të cilat janë nga mjetet më moderne të kohës dhe shumë të sofistikuara. d.xh