Shkrumbohet banesa, 5 vetë mbeten të pastrehë
SHKODËR - Zjarri ka shkrumbuar plotësisht një banesë në fshatin Reç i Ri të Komunës Velipojë, duke lënë pa strehë 5 persona. Ka qenë ora 01:30 kur në banesën njëkatëshe të shtetasit Gëzim Ndreaj, 38 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Reç të Ri të komunës Velipojë në Shkodër ka rënë zjarr.
Familja e përbërë nga 5 vetë ka mundur të dalë jashtë shtëpisë pa u dëmtuar, ndërsa është djegur gjithçka që kishin. Pjesëtarët e familjes së Gëzim Ndreajt kanë shpëtuar vetëm me rrobat që kanë pasur veshur teksa flinin dhe kanë qenë fqinjët ata që u kanë dhënë rroba të tjera, pasi gjithçka është djegur.
Zjarrfikëset kanë bërë shuarjen e zjarrit, por nga banesa me një dhomë e kuzhinë nuk ka shpëtuar asgjë, pasi ajo ka qenë e vjetër. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se zjarri është shkaktuar nga luhatjet tensionit të energjisë elektrike, që kanë shkaktuar më pas një qark të shkurtër elektrik në instalimet e amortizuara të banesës së vjetër.
Përfaqësuesit e komunës së Velipojës janë njohur nga afër me situatën dhe nga kryekomunari Nikollë Marku kësaj familjeje u është premtuar një çadër si zgjidhje e përkohshme, ndërsa është menduar dhe për të ndihmuar këtë familje të varfër.
Gjendja e mjerueshme e familjes Ndreaj është e njohur nga gjithë banoret e fshatit Reç i Ri, ndërsa gruaja e Gëzimit prej vitesh vuan nga një sëmundje e rëndë, e cila e ka detyruar të ndajë ditët dhe muajt mes Spitalit Ushtarak në Tiranë dhe shtëpisë së saj në fshatin Reç të Ri. A.Dushi