E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia në “gjah” për 8 kriminelë shqiptarë

02/06/2009  Janë dënuar në Shqipëri për vrasje, trafik droge, përdhunim e krime të tjera

Operacioni “Infra” synon arrestimin e disa të kërkuarve në të gjithë Evropën

LONDER- Policia angleze është vënë në ndjekje të 16 personave më të rrezikshëm të Evropës, ku midis tyre ndodhen edhe 8 shqiptarë që janë dënuar në vendin tonë për vepra të rënda si: Vrasje, Trafik droge, Përdhunim e krime të tjera. Agjencia e lajmeve “Mail Online” shkruan në faqen e saj se këta persona përveç se janë dënuar me shumë vite burg në vendet e origjinës, aktualisht ata vazhdojnë të drejtojnë grupe kriminale në territorin e Mbretërisë së Bashkuar si dhe në shtetet e ndryshme të Evropës. Mësohet se 8 super të kërkuarit shqiptarë janë shtetasit Gentian Doda, 30 vjeç, i kërkuar nga Interpoli për dy vrasje me motive hakmarrjeje, Durim Gremçaj 35 vjeç nga Fieri, i kërkuar nga Interpoli për krime seksuale të kryera në vitin 2001, Agim Kabashi 39 vjeç nga Kukësi, i kërkuar për krime seksuale dhe organizim prostitucioni në Angli, Xhevat Kaca 33 vjeç nga Librazhdi, i kërkuar gjithashtu për krime seksuale, Sherif Murati 41 vjeç nga Fieri i dënuar me 25 vjet për vrasje në ‘97, Nikolla Naci 44 vjeç nga Fieri i dënuar me 13 vjet burg për përdorimin e armëve dhe eksplozivëve si dhe trafik droge, Dritan Shkurti 33 vjeç nga Kurbneshi, i dënuar me 22 vjet për vrasjen e Tanush Hasanit në ’98 dhe Shaqir Ziko 28 vjeç nga fshati Prishtë i Skraparit i dënuar me 12 vjet burg për vjedhjen me armë të furgonit të bankës. Mësohet se nga të gjithë emrat e sipërcituar më i spikaturi nga ata, është Agim Kabashi, i cili dyshohet se drejton një organizatë prostitucioni që ka shtrirje në vendet më të mëdha të Evropës. Por prapa tij nuk mbetet edhe emrat e tre fierakëve që mendohen se kryejnë aktivitetin kriminal në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Për lokalizimin dhe arrestimin e 16 personave më të kërkuar është vënë në zbatim operacioni “Infra” që në shqip do të thotë poshtë. Ky operacion organizohet nga organizata e parë jo qeveritare në gjithë botën, që vihet në ndjekje të krimineleve e quajtur “Ndalimi i krimit” ose “Crimestopers”, e krijuar nga Lordi britanik Ashkroft. Rreth 120 kriminelë të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këtë listë fshihen në SHBA, Kanada, Xhamajkë, Holandë, Australi dhe Belgjikë. Në fakt edhe më parë është thënë se të paktën 100 vrasës shqiptarë fshihen në Britaninë e Madhe, shumica e të cilëve kanë fituar azil dhe nuk depërtohen. Ndërkaq mësohet se 8 të kërkuarit e tjerë të listës prej 16 personash janë nga Evropa Lindore, nga Polonia, Hungaria, Gjeorgjia e Lituania. Shumica e tyre janë dënuar për krime seksuale dhe vrasje.

Dosja kriminale e kuksianit 39-vjeçar

Kabashi në top listën e kërkimeve

njihet si trafikant droge e femrash

TIRANE- Agim Kabashi është shqiptari më i kërkuar nga 7 emrat e tjerë, pasi nga verifikimet dhe hetimet që kanë kryer agjentët anglezë, ka rezultuar se ai është drejtuesi i një rrjeti të gjerë kriminal, që aktivitetin e tij e ka në trafikun e drogës dhe prostitucionit. Mirëpo përveç krimeve që ka kryer në Angli, 39-vjeçari nga qyteti Kukësit por banues në Durrës, kërkohet edhe në Shqipëri pasi togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda e kanë dënuar atë me 16 vjet heqje lirie. Pikërisht në datën 24 janar të 2008 Prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurit Agim Kabashi me 16 vjet burg për veprën penale të “trafikut të femrave për qëllime prostitucioni”. Gjatë seancës përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda lexoi konkluzionet përfundimtare të hetimit, duke kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me burg të shtetasit Agim Kabashi. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Kabashi rezulton përgjegjës për trafikimin dhe më pas shfrytëzimin e një shtetaseje si prostitutë disa vite më parë në Angli. Përveç dhënies së dënimit organi i akuzës i ka kërkuar trupit gjykues, vënien nën masën e sekuestros të pronave dhe pasurive të të pandehurit Agim Kabashi, pasuri këto që dyshohen se kanë origjinë të dyshimtë financiare. Mësohet se masa e sekuestros është kërkuar për një vilë 3-katëshe, që ndodhet në lagjen nr. 14 në Durrës, e cila mendohet se është pronë e të pandehurit. Dënimin me 16 vjet burg i shumëkërkuari e ka marrë në mungesë, pasi ai ka mundur të largohet nga Shqipëria menjëherë sapo është vënë në dijeni se Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte filluar një procedim penal ndaj tij. Çështja në ngarkim të Agim Kabashit është regjistruar në bazë të denoncimit që ka kryer një shtetase, e cila pasi është martuar me të pandehurin ka udhëtuar me të nga Shqipëria në Angli. Pikërisht në këtë vend shtetasja (emri i së cilës nuk bëhet i ditur) është detyruar me dhunë psikologjike dhe fizike, që ajo të dalë në rrugë për të gjetur klientë. Nga deklarimet e saj në Prokurori, thuhet se të gjitha shumat financiare të përfituara nga seksi që kryente me meshkujt e shumtë në Angli, në darkë ja jepte të shumëkërkuarit 39-vjeçar Agim Kabashi.

Deklarata e kryepolicit Ahmet Prençi

“Kemi gati listën me100 kriminelë shqiptarë”

TIRANE- Të paktën 100 kriminelë shqiptarë fshihen në Angli dhe ky shtet nuk po i ekstradon. Në një artikull të botuar online në “Daily Telegraph”, i cili i referohet një deklarate që Drejtori i përgjithshëm i Policisë shqiptare, Ahmet Prençi, ka bërë ku ankohet se gjykatat britanike po pengojnë përpjekjet e vendit te tij, që kriminelët të ekstradohen në Shqipëri. Shumë nga këta kriminelë shfrytëzojnë sistemin e azilit për të fituar edhe shtetësi britanike, ndërkohë që kanë hyrë ilegalisht në këtë shtet demokratik. “Ne kemi një listë shqiptarësh që fshihen në Britaninë e Madhe. Janë 100 kriminelë, më shumë se 80% e tyre kërkohen për vrasje dhe janë dënuar në mungesë”, citohet të ketë thënë në 29 janar ’09 Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Premçi. “Atyre madje iu është garantuar shtetësi britanike, pavarësisht kërkesave të autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tyre për të vuajtur dënimin në Shqipëri”,- ka cituar e përditshmja angleze “Daily Telegraph”. Aktualisht “Home Office”, ose Ministria e Brendshme britanike është vënë në dijeni për identitetin dhe të dhënat e këtyre personave. Shumë prej tyre janë regjistruar si refugjatë gjatë luftës në Kosovë. Tashmë pritet të kryhet lokalizimi dhe më pas arrestimi i të kërkuarve, të cilët më pas do të ekstradohen në Shqipëri.

Përgjigjja e ministrit anglez

“Do bëj të pamundurën për

t’i ekstraduar në Shqipëri”

TIRANE- Ministri anglez për Policinë më 18 shkurt 2009 ka zhvilluar një tur të vërtetë takimesh në Shqipëri, ndërsa e ka garantuar Drejtorin e përgjithshëm të Policisë shqiptare, Ahmet Prençin, për ekstradimin e të gjithë të kërkuarve të shpallur si të tillë nga Interpol Tirana. “Në lidhje me arrestimin e shqiptarëve të kërkuar që strehohen në Britaninë e Madhe mendoj se jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. Por, ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t’i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”,- ka deklaruar ministri anglez Coaker gjatë takimit me Prençin. Ndërkohë që nga ana tjetër ky i fundit ka pohuar se autoritetet shqiptare janë të hapura për shkëmbim informacioni me qëllim ekstradimin e personave të kërkuar drejt vendit, ku ata kanë kryer krimin. Të vetmit që janë ekstraduar nga Anglia në Shqipëri janë dy shtetasit anglezë Dino Kristodudu dhe Robin Arnold. Ndërkohë që pas vizitës së tij në Shqipëri, gjykata angleze refuzoi dhënien e azilit politik për të shumëkërkuarin Ilir Kumbaro, i cili po gjykohet në Shqipëri për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe më pas zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›