E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, rrëzohet padia e portierit Ilion Lika



Gjyqtarja Marjana Shegani ka rrëzuar dje kërkesën e portierit Ilion Lika, i cili kishte paditur klubin e “Dinamos” në Gjykatën e Tiranës, me objekt “shkaktim dëmi”. Me anë të kësaj padie, ish-portieri i ekipit “Dinamo” kërkoi të dëmshpërblehet për të gjitha dëmet morale dhe ekonomike që i kanë ardhur nga akuzat e bëra nga drejtuesit e ekipit, si dhe për flakjen në rrugë dhe lënien pa klub për disa muaj. Por, kjo kërkesë e tij u rrëzua dje nga gjyqtarja Shegani, si e pabazuar dhe që nuk ka asnjë provë që vërteton pretendimin e portierit. Shkak i depozitimit të padisë është bërë pezullimi i portierit pas humbjes së ndeshjes me ekipin Besa, kur më 2 mars 2007 dinamovitët nuk arritën të kualifikoheshin në gjysmëfinalen e këtij aktiviteti. Akuza fillestare që klubi i bëri lojtarit ishte për shitje ndeshjesh, ndërkohë që më pas ajo është modifikuar dhe arsyeja për pezullimin ishte "mungesa e impenjimit". Në atë periudhë, Lika kishte hedhur poshtë çdo zë që e lidhte me shitjet e ndeshjeve me pretendimin: "Presidenti më komunikoi vendimin për pezullim me afat të papërcaktuar dhe mendoj se kjo është e drejta e tij, ishin fjalët e tij pas vendimit. Megjithatë, dua t‘i siguroj të gjithë se në asnjë lloj mënyre nuk kam lidhje me shitje ndeshjesh, ose më konkretisht s’e kam shitur ndeshjen për të cilën flitet. Unë jam rritur te Dinamo, luaj që kur kam qenë fëmijë për këtë skuadër e më dhimbset ekipi dhe fanella". Menjëherë sapo kaloi te ekipi i Elbasanit, portieri vendosi të padisë klubin “Dinamo” për prishje imazhi, duke kërkuar dëmshpërblim.

Përjashtimi

Eliminimi i Dinamos nuk u gëlltit nga presidenti Besnik Sulaj, i cili në analizën e bërë pas ndeshjes, në mjediset e klubit sportiv “Dinamo” ka përjashtuar nga skuadra portierin Ilion Lika, duke e akuzuar si të përfshirë në afera me presidentin Bizhdili të Besës, gjë që solli edhe eliminimin e turpshëm të skuadrës. Portieri i Dinamos dhe i kombëtares, Ilion Lika, u akuzua nga presidenti i ekipit se kishte gisht në skualifikimin e skuadrës së tij në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Dinamo pati fituar sfidën e parë në Kavajë me shifrat 2-1 dhe humbi takimin e dytë në Tiranë me rezultatin 2-0, gjë që solli eliminimin e bluve nga kompeticioni i dytë i madh në vendin tonë. Dalja nga Kupa e Shqipërisë i mbylli Dinamos të gjitha shtigjet për në Evropë dhe kjo përbënte disfatën më të madhe për presidencën e klubit. Por, ndonëse u akuzua publikisht për shitjen e ndeshjes, asgjë nuk u provua nga organi i akuzës. Akuzat kanë qenë të ndërsjella për të dyja palët, si nga ana e paditësit për drejtuesit e klubit, të cilët i quajti “faraonë”, ashtu dhe për ekipin që e cilësoi “piramidë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›