Rrëfimi i studentes në gjykatë: “Kallashin në dhomë e mbaja për të dashurin”
Tiranë - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka liruar sot studenten e Infermierisë e kapur me një armë “kallashnikovi”, në ambientet e konviktit në Qytetin Studenti. Para gjykatës E. R, 20 vjeçe ka argumentuar se armën e kishte të të dashurit të saj, të cilën e kishte mbajtur për t’ia fshehur. Pas dëgjimit të pretendimeve të vajzës, gjykatësi i gatshëm ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Vajza u vu në pranga tre ditë më parë pas, informacioneve të mbërritura se në dhomën e saj fshihte një kallashnikov. Vajza akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Qëllon me armë në ajër pas një sherri, arrestohet roja
Shkodër – Arrestohet roja, qëlloi me armë në ajër pas një sherri me një person. Ngjarja ndodhi dje në mesditë në lagjen “Liria”, të qytetit Shkodrës, tek një pikë ku shitej gaz, kur Edmond Qeta, 33 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin K.D, ka qëlluar një herë në ajër me një armë zjarri çifte, të cilën e mbante me leje, në pikën e gazit, ku punonte si roje. Burime nga policia thanë se gjatë kontrollit të bërë nga shërbimet policore në ambientet e kësaj pike, të arrestuarit ju gjet dhe një armë zjarri pistolete, pa leje. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit, çifte, me të cilën është gjuajtur në ajër si dhe armën e zjarrit, pistoletë, e cila mbahej pa leje. “U kryen veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të 33-vjeçarit Edmond Qeta, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Shkodër, për veprat penale të “Kanosje serioze”dhe “Armbajtëse pa leje” bëri të ditur policia.
Aksioni i policisë, në pranga 10 persona, tregtonin celularë në mënyrë të paligjshme
Tiranë - Në kuadër të planit të bashkëveprimit mes policisë Tatimore të dhe seksionit kundër pastrimit të parave, është zhvilluar një aksion policor në mjediset pranë Postës Qendrore në kryeqytet, i cili është pasuar me shoqërimin e 10 personave, të cilët po tregtonin aparate celularë dhe aksesorë të ndryshëm për ta në mënyrë të kundërligjshme. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, këta persona nuk ishin të pajisur me ndonjë licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti. Atyre iu janë sekuestruar 80 aparate celularë, 200 karikues telefoni celularë, 40 kasa telefoni celularë, 185 palë kufje telefoni celularë, 100 bateri telefoni celularë, 120 këllëfë telefoni celularë, 10 paketa me numra celularë, AMC dhe Vodafon, 20 disqe me program celularësh të markave të ndryshme si edhe 2 aparate fotografikë dixhitalë.
Nga ana e seksionit të krimit ekonomik, këta persona u morën në pyetje, dhe më pas u lanë të lirë, ndërsa sendet e sekuestruara i kaluan për kompetencë të mëtejshme degës së Tatim-Taksave, Tiranë.
Kapet kambisti, ushtronte veprimtari të paligjshme në qendër të qytetit
Pogradec – Forcat e policisë kanë vendosur të nisin një procedim penal në 26-vjeçarit Aurel Xaka, banues në qytetin e Pogradecit, pasi është kapur në flagrancë duke bërë këmbim valutor pa licencë në vendin e quajtur “tregu i valutës” në këtë qytet. Kjo konsiderohet si një vepër penale e parashikuar nga ligji “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”. Sipas të dhënave, autori i kësaj ngjarje do të ndiqet në gjendje të lirë, ndërsa materialet përkatëse rreth tij do t’i kalojnë prokurorisë së Pogradecit për hetime të mëtejshme.
29 Maj 2009