E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrumbohet furgoni, policia në alarm

Zjarr në autostradë, digjet makina pak përpara se të kalonte Presidenti i Republikës. Nuk ka dëmtime në njerëz. Shkaku, shkëndija elektrike. 

DURRES Furgoni i një firme me targa Tirane ditën e djeshme u përfshi nga flakët pak kohë përpara se në të njëjtën rrugë të kalonte Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Incidenti ka vënë në provë sigurinë e shoqërimit të personaliteteve, pasi u reagua si në rastet emergjente. Mjeti është shuar në kohë rekord nga një zjarrfikëse e Durrësit dhe më pas furgoni është larguar që andej me karroatrec. Në kohën që kalonte shpura e Topit, rruga ishte e lirë. Sipas policisë, nga veprimet paraprake hetimore është konkluduar se ka qenë një defekt në qarkun elektrik të mjetit, që ka shkaktuar flakët dhe djegien e tij.
NGJARJA
Dje rreth orës 13:20, një furgon është përfshirë nga flakët në kohën që po lëvizte në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Koxhas, pa shkuar në Maminas të Durrësit. Sipas dëshmitarëve okularë, furgoni me targa të Tiranës, pronë e një firme, është djegur në kohën kur ishte në lëvizje. Ai ishte i ngarkuar me frigoriferë dhe pajisje të tjera ftohëse. Shoferi dhe një punonjës tjetër i furgonit kanë zbritur menjëherë nga mjeti dhe janë përpjekur që të shuanin zjarrin. Me ta janë bashkuar edhe disa policë rrugorë. Këta të fundit ndodheshin aty pranë me detyrën për të siguruar rrugën, pasi disa minuta më pas do të kalonte Presidenti i Republikës, Bamir Topi me eskortën e tij. Lëvizja e Presidentit mësohet se nuk ka qenë në kuadrin e takimeve zyrtare. Të ndodhur përpara një situate të tillë, së bashku, policët dhe drejtuesi i furgonit kanë mundur që të hapin krahun. Pak çaste më vonë kanë gjetur dy fikëse zjarresh emergjence. Por, nuk kanë mundur që t'i shuanin flakët, që në atë moment ishin mjaft të fuqishme. Menjëherë në ndihmë të tyre ka shkuar një zjarrfikëse, e cila ka mundur ta vërë zjarrin në kontroll e fill pas saj, aty ja ka behur një karroatrec i cili ka transportuar furgonin e shkrumbuar në drejtim të Rrashbullit. Fill pas kësaj në rrugë kanë kaluar makinat e Presidencës, e midis tyre edhe ajo e Topit, i cili e ka fort për zemër Durrësin. Një javë më parë ai drekoi në restorant 'Piaza', i cili ndodhet te kullat binjake, pranë shëtitores së Vollgës.
POLICIA
Sipas burimeve policore, mendohet se shkaku i djegies së furgonit ka qenë ndonjë shkëndijë elektrike, e cila më pas i ka vënë flakën motorit. Ndërsa, ngjarja sipas bluve, nuk kishte lidhje me lëvizjen e eskortës së Presidentit. Meqenëse në rrugë do të kalonte Presidenti, veprimet hetimore për të përcaktuar shkakun e djegies së makinës u kryen më vonë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›