E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini, kundër tre kryeqytetaseve në Kupë

Kupa e Shqipërisë zbulon katër skuadrat gjysmëfinaliste. Pas ndeshjeve të luajtura dje, nga Grupi A kualifikohen Dinamo dhe Shkumbini, ndërsa në Grupin B fituese ishin Tirana dhe Partizani. Peqinasit e drejtuar nga Gugash Magani, të cilët janë të vetmit të mbijetuar në edicionin e 57-të që nuk e kanë fituar asnjëherë këtë trofe, do të luftojnë me tre kryeqytetaset për të siguruar një "biletë" për në Kupat e Evropës. Ata janë kualifikuar pas fitores minimale të arritur në fushën e Besës, falë autogolit të Ishkës, kur mungonin vetëm 60 sekonda nga mbyllja e takimit. Mesfushori është keqkuptuar me portierin Zendeli, duke u dhuruar miqve kalimin e turit. Kavajasit, të cilët shiheshin si favoritë kryesorë në këtë takim (pas barazimit 1-1 në fushën e Shkumbinit), akuzojnë edhe mungesën e fatit në këtë disfatë. Skuadra e drejtuar nga Ilir Biturku dominoi pjesën më të madhe të takimit, duke regjistruar mjaft raste për shënim, por shtylla dhe portieri Ervin Llani u mohojnë golin. Dinamos i ka mjaftuar fitorja 2-1 në fushën e Vllaznisë për t‘u kualifikuar. Në fakt, në "Selman Stërmasi" blutë janë kënaqur me një barazim pa gola, i cili ndërpret serinë me pesë fitore radhazi (mes kampionatit dhe Kupës) që prej emërimit të Shkëlqim Muçës në krye të stolit. Gjithsesi, dinamovitët kanë vuajtur, edhe sepse Vllaznia ka kërkuar me çdo kush golin, duke mos i fshehur ambiciet në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Heroi i takimit ishte padyshim "gardiani" Elvis Kotorri, që i ndihmuar edhe nga shtylla, në tentativën e Xhejms Boadu, mban të paprekur rrjetën e tij.

Në Grupin B gjithçka ka qenë e hapur. Tirana luante me Elbasanin pas barazimit 0-0 në takimin e parë. Por, në "Ruzhdi Bizhuta" bardheblutë kanë treguar se nuk ndikohen nga faktori fushë. Me dy gola të shpejtë të Patushit dhe Daniel Xhafës, në minutat 9 dhe 12, skuadra e Agustin Kolës "vrau" sezonin e verdhebluve. Në fakt, Kupa ishte objektivi i vetëm i elbasanasve, që tashmë duhet të përqendrohen në luftën për mbijetesë në Superiore. Ambiciet e skuadrës për një vend në aktivitetet ndërkombëtare përfundojnë këtu. Në këtë takim u regjistruan edhe minuta ankthi, kur pas përplasjes me një shok të skuadrës, portieri Alfred Osmani humbi ndjenjat dhe u shoqërua me urgjencë për në spital. Sipas burimeve zyrtare të Elbasanit, gjendja e tij është përmirësuar. Në ndeshjen tjetër, Partizani kalon Flamurtarin vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Ndeshja dhe koha shtesë përfunduan 1-0 në favor të të kuqve (rezultati i përgjithshëm 1-1), pas golit të Arbër Capos. Nga pika e bardhë kryeqytetasit fitojnë 5-4, ndërkohë që eliminimi i vlonjatëve erdhi pas dy penalltive të humbura nga sulmuesi i ri, Shehaj: fillimisht në minutën e 14-të të takimit, kur rezultati ishte 0-0 dhe më pas në gjuajtjet që përcaktonin ekipin fitues.

ÇEREKFINALET

GRUPI A

DINAMO-Vllaznia 0-0 (2-1)

Besa-SHKUMBINI 0-1 (1-1)

Ishka (ag) 89‘

GRUPI B

* PARTIZANI-Flamurtari 1-0 (0-1)

Capo 39‘

Elbasani-TIRANA 0-2 (0-0)

Patushi 9‘, Xhafa 12‘

* Partizani kalon pasi fitoi 5-4 me penallti

(Shënim: Shorti i gjysmëfinalisteve do të jetë i lirë, ndërsa ndeshjet luhen më 8 dhe 22 prill)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›