Agim Faja, retrospektivë në Shijak
Të shumtë janë personalitetet e kulturës dhe artit në vend që kanë folur për "Piktorin e Merituar" Agim Faja. Përkufizimet për artin e tij kanë qenë të ndryshme. Stero Spase e çmonte si piktor-mjeshtër të pasionuar dhe që dashuron bashkë me të bukurën edhe vendlindjen e tij. Për Kujtim Buzën, Agimi është një artist me shije të hollë, kërkues, dinjitoz dhe origjinal. "Ai ka punime interesante, plot dritë e intimitet, dashuri, ndjesi poetike dhe jetë. Artist që lidhet me hallet dhe gëzimet e njerëzve", thotë ai. Por vargu i vlerësimeve është i gjatë. Të shumtë janë emrat që e cilësojnë dhe urojnë piktorin, i cili të shtunën, më 14 mars, i kthehet publikut me një ekspozitë retrospektive, ku do të prezantohen punimet e tij më të mira në vite. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes së piktorit, Bashkia e qytetit të Shijakut në bashkëpunim me Galerinë e Arteve Figurative të Durrësit, dhe Galerinë "F" në Shijak, do të sjellin në vëmendjen e dashamirësve ekspozitën e titulluar "Vite-Jetë-Punë". Piktori Agim Faja është fitues i një sërë çmimesh kombëtare. Në vitin 1954 nis studimet në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë, ku i kushtohet pikturës. Në vitin 1960 vazhdon studimet në Institutin e Lartë të Arteve Figurative. Ai është ndër studentët e parë të këtij instituti. Mbron diplomën me tablonë "Ndërtuesit e lumturisë" (moment intim). Përveç pikturave, ai është edhe ilustrues i mbi njëqind librave për fëmijë dhe të rritur.