E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini ndal marshimin e Tiranës

Përveç derbit, fundjava ka rezervuar edhe përballje të tjera interesante mes elitarëve. Marshimi i Tiranës frenohet në Peqin, Teuta regjistron fitoren e tretë radhazi, ndërsa Elbasani duket se është rikthyer në rrugën e duhur pas gjobave "masive".

Përballë Shkumbinit vendas dhe nën vëzhgimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi (dikur ish-president honorifik i bardhebluve), Tirana nuk ka marrë më shumë se barazimi 0-0 në fushën e Shkumbinit. 23 herë kampionët mbeten skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje në këto tetë javë të para të Kategorisë Superiore, ndërsa ky ishte barazimi i tretë (pas atyre në Shkodër dhe Ballsh) për të besuarit e Slishkoviç. Megjithatë, i rëndësishëm është fakti se edhe kur nuk janë në një ditë të mirë, kryeqytetasit arrijnë të marrin rezultat pozitiv. Ata vuajtën presingun e vendasve gjatë gjithë 90-minutëshit, madje në disa raste kanë rrezikuar të pësojnë gol. Peqinasit nga ana e tyre kanë dominuar totalisht lojën, duke konfirmuar se e meritojnë pozicionimin mes skuadrave më të mira të kampionatit. Aktualisht skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ndodhet e katërta, në kuotën e 12 pikëve (aq sa Vllaznia, e cila luan sot në Kavajë dhe me golavarazh më të mirë se Elbasani e Teuta). Në përballjen e djeshme me bardheblutë duket se vetëm fati i ka ndalur që të marrin tri pikët: një fitore që për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet do të ishte e merituar. Shkumbini ishte fare pranë golit në sekondat e fundit të pjesës së parë me Gramshin, por gjuajtja e mbrojtësit të djathtë, që mposhti portierin Korunovski, është përplasur në traversë. Në fraksionin e dytë të lojës tentuan edhe Rizvanolli, Turdiu e Nora, që gjithsesi nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë.

Mjaft mirë Teuta e Starovës, që pas fillimit të keq të kampionatit tashmë duket e papërmbajtshme. Me rezultatin 1-0 kundër Flamurtarit, "djemtë e detit" regjistruar fitoren e tretë radhazi (më parë kishin mposhtur Apoloninë dhe Elbasanin). Vendimtar në sfidën e zhvilluar në "Tofik Jashari" të Shijakut ishte rrjeta e vlonjatit Ymeraj, që në këtë mënyrë "hakmerret" kundër ish-skuadrës së tij. Në këtë ndeshje nuk mungoi edhe tensioni: sulmuesi i Flamurtarit, Mema, i aktivizuar si zëvendësues është ndëshkuar me karton të kuq, pas një ndërhyrje të rëndë në minutën e 87. Të shtunën u rikthye edhe Elbasani, që kaloi pa probleme 2-0 Lushnjën. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa gjen fitoren pas katër javëve (ku kishte koleksionuar dy barazime dhe dy humbje). Duket se gjoba prej 50 mijë dollarësh amerikanë që drejtuesit u vendosën futbollistëve shërbeu për të "shkundur" verdheblutë. Kjo fitore nuk ka thjesht vlerën e tri pikëve, por sjell qetësinë e munguar në skuadrën që fillimisht ishte dukur e denjë për të konkurruar të paktën për një vend në kupat e Evropës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›