Debatik Curri rrezikon Azerbajxhanin
Debatik Curri, një prej lojtarëve më të mirë të kombëtares shqiptare, rrezikon pjesëmarrjen në miqësoren e 19 nëntorit, që skuadra e drejtuar nga Ari Han do të luajë me Azerbajxhanin. Shkak është bërë një tërheqje në kofshë, që do ta lejë 24-vjeçarin të paktën për dy javë në "bokse". "Të premten luajtëm në fushën e Arsenalit të Kievit, ku Vorskla mori një barazim pa gola, por u dëmtova", sqaron nga Ukraina lojtari kuqezi. "Pësova një tërheqje në kofshë dhe mendoj se do të qëndroj minimalisht për dy javë pa u aktivizuar. Miqësorja e nëntorit? Ende nuk mund të them me siguri nëse do të jem me skuadrën në miqësore. Do ta vlerësoj situatën së bashku me stafin mjekësor këtu në klub, për të krijuar një ide më të qartë rreth rikuperimit". Ndërkohë, FSHF ka zyrtarizuar se azerbajxhanasit do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë në miqësore. "Kombëtarja do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, më 19 nëntor, citohej në sajtin elektronik të FSHF-së. Kjo miqësore në datën e lirë të FIFA-s i jep mundësi trajneri Han që të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, duke përgatitur sfidat e ardhshme". Shqipëria është ndeshur tri herë me Azerbajxhanin, duke regjistruar po kaq fitore (e fundit më 17 gusht 2005 kur skuadra drejtohej nga gjermani Brigel). Në takimin e mbyllur 2-1 u regjistrua goli i 13-të ndërkombëtar i Alban Bushit dhe i pari i Lorik Canës me fanellën kuqezi. Azerbajxhani kishte planifikuar të luante me Letoninë, por këta të fundit e anuluan takimin, pasi nuk mund të udhëtonin në Baku prej problemeve me transportin.