E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini triumfon sërish në derbin me Elbasanin

Peqin - Shkumbini i Peqinit rikthehet tek fitorja në kampionat, pikërisht në ndeshjen derbi me Elbasanin. Djemtë e Maganit janë treguar më të vendosur se elbasanasit për të fituar këtë takim të rëndësishëm. Fillimi ka qenë i mirë për të dyja ekipet, por në minutën e 9’ Sefa do të lehtësonte punën e peqinasve duke dërguar topin në rrjetën e vet. Më pas Shkumbini merr zemër dhe kontrollon gjithë pjesën e parë.

Me fillimin e së dytës është supertalenti Mustafaj që dyfishon shifrat e të kaltërve. Për miqtë verdheblu do të mendonte mbrojtësi i kombëtares, Endri Vrapi, i cili shënon nga një goditje dënimi në pozicion të pjerrët. Megjithëse koha ishte e mjaftueshme, djemtë e Josës nuk arritën të barazonin dot shifrat e këtij takimi.

Duhet theksuar se ndeshja është zhvilluar në një Fair Play të vërtetë, ku të dyja tifozeritë kanë treguar një kulturë të lartë ndaj njëra-tjetrës në stadiumin “Shkumbini”.

Me këtë fitore skuadra e Shkumbinit shkëputet nga Elbasani me 3 pikë, duke u renditur kështu në vendin e gjashtë. Elbasani zbret në vendin e tetë, duke arritur të grumbullojë në këto javë vetëm 20 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›