Shkup, manifestim gjigand për Skënderbeun
Maqedoni
Shqiptarët përkujtojnë heroin kombëtar në përvjetorin e vdekjes
542-vjetori i vdekjes së heroit të madh kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, u shënua dje me ceremoni përkujtimore në Shkup. Politikanë, përfaqësues nga sektori civil, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, në shenjë respekti vendosën kurora lulesh në bustin e Skënderbeut.
Ndërkaq, asnjë përfaqësues nga partitë politike shqiptare në opozitë nuk ishte i pranishëm. Me këtë rast, Artan Grubi nga lëvizja “Zgjohu” u bëri thirrje partive politike dhe sektorit civil që figura e Skënderbeut të shërbejë si motiv për më shumë unitet dhe angazhim në rrugën e integrimeve europiane. “U tubuam për të shënuar përvjetorin e vdekjes së kryetrimit shqiptar, gjeneralit të pamposhtur Gjergj Kastriot Skënderbeu.
është ky vend ku ne gjejmë frymëzimin, fisnikërinë për të vazhduar më tutje dhe shpresoj se mesazhi i unifikimit që Skënderbeu përcjell gjithandej te kombi shqiptar, të përqafohet fuqishëm nga partitë politike dhe nga shoqëria civile këtu në vend dhe ta shpiem kombin në rrugën drejt integrimit euro-atlantik, bashkë me Prishtinën dhe Tiranën”, ka theksuar Artan Grubi, nga lëvizja “Zgjohu”, si organizator i manifestimit. Ndërsa një ceremoni tjetër shënoi edhe Shoqata e Veteranëve dhe e Invalidëve të UçK-së, “Kalaja”, e mbështetur edhe nga Lëvizja Demokratike Shqiptare me seli në Gostivar, shoqata “Iliricum Libertas”, të cilat dje në mesditë bënë homazhe përpara shtatores së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti –Skënderbeu. Në emër të shoqatës “KALAJA”, fjalën e rastit e mbajti zëdhënësja e kësaj shoqate, prof. Teuta Kamberi - Llalla, që ndër të tjera tha: “Ne, Kryesia e ngushtë e SHV dhe e Invalidëve të UçK-së, ‘Kalaja’, jemi mbledhur më 17 janar të kujtojmë 542-vjetorin e vdekjes së figurës më markante, humanistin e madh dhe njëherësh Heroin tonë Kombëtar, Legjendën e gjallë Gjergj Kastrioti-Skënderbeun”.
Kryetari i shoqatës “Kalaja”, Izair Samiu, i njohur si komandant Baci, ka theksuar se “gjithmonë do të përkujtojmë figurat e kombit shqiptar nga heroi më i madh Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri te dëshmori i fundit”. Gjithashtu përshëndetën ceremoninë edhe Hajredin Kaza, kryetar i Lëvizja Demokratike Shqiptare, si dhe Valon Kurtishi, kryetar i shoqatës “Ilirikum Libertas”.
#