E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi mbi bazë etnike, një autogol

Omari: Të jetë e verifikueshme. Biberaj: çështja duhet bërë me referendum
Nisma për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike mund të kthehet në një autogol për Shqipërinë. Ky është konstatimi që bën akademiku Luan Omari, sipas të cilit projekti i fundit i qeverisë duket se është i shtyrë nga qarqet greke. Omari sugjeron që, nëse bëhet një regjistrim i tillë, duhet medoemos që të shoqërohet me provat dhe t’i nënshtrohet verifikimit, duke mos e lënë deklarimin vetëm në dorën e personit. Sakaq, profesori Shezai Rrokaj mendon se nuk do të kishim një rezultat të qartë, sepse njerëzit nuk do të ishin të sinqertë me këtë deklarim, të shtyrë nga faktorë të ndryshëm, si ekonomikë dhe jetësorë.
Luan OmariAkademik
çështja e regjistrimit të popullsisë është përmendur shpesh, mesa di unë edhe nga Këshilli i Europës, me anë të një rekomandimi si të bëhet regjistrimi. Thonë që ky rekomandim është bërë me insistimin e qeverisë greke, e cila, siç dihet, është e interesuar të shtohet numri i shtetasve shqiptarë që kanë kombësi greke. Nuk e di sa e vërtetë është kjo, sidoqoftë ky problem është i ndërlikuar. Kushtetuta jonë, e cila në këtë rast, riprodhon edhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, thotë se askush nuk ndalohet apo detyrohet të shprehë përkatësinë e vet, qoftë etnike, qoftë edhe fetare. Pra varet nga personi, nëse do ta japë këtë të dhënë, apo do të heshtë. Por sidoqoftë ndonëse konventa përcakton se askush nuk mund ta ndalojë një person të shfaqë identitetin e tij etnik apo fetar, ka një koment të konventës, i cili thotë se deklarimi i identitetit nuk është një gjë subjektive, që varet vetëm nga vullneti i personit. Për këtë duhet të shoqërohet me disa të dhëna të tjera objektive, që tregojnë se sa i përgjigjet deklarimi i tij në të vërtetë realitetit. P.sh nëse unë deklaroj që jam me kombësi greke, sepse kam simpati për kulturën greke, apo mund të kem ndonjë përfitim, nga kjo gjë, sigurisht që kjo duhet të verifikohet, mbi të dhënat e mia. Pra këto janë gjëra që duhen verifikuar.
U tha nga zyrtarët qeveritarë që do bëhet një studim i plotë për projektin. Mendoj se, nëse e drejta për të përcaktuar etninë i mbetet në dorë vetë personit, atëherë kjo do të bëhet një çështje e rrezikshme. Sepse ka me mijëra e me mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët quhen Ali dhe janë deklaruar si Aleksandër, ka Iliaz që quhet Ilia dhe këtu ka komplikacione. Nëse ata do të ndryshojnë atë që kanë deklaruar në Greqi, mund të humbasin ato çfarë kanë në Greqi, si pensione, punë etj. Një pjesë e tyre marrin edhe një pension, i cili shkon deri në qindra euro, e cila nuk është shumë e vogël për kushtet e Shqipërisë. Këta e kanë të vështirë dhe mbase shtyhen, në kundërshtim me bindjet e tyre, të pranojnë kombësinë greke. Pra kjo do të shtonte artificialisht numrin e minoritarëve grekë në Shqipëri, kështu që nuk është aspak e udhës që kjo të ndodhë, sepse as vetë Europa nuk kërkon shifra fiktive që nuk i përgjigjen realitetit. Duhet thënë gjithashtu se në rekomandimet e Europës, deklarimi i etnisë dhe fesë nuk është i detyrueshëm, sepse shumica e vendeve europiane nuk synojnë që në kartën e identitetit apo në pasaportë të shënojnë kombësinë, por vetëm shtetësinë. Mesa duket, ky vendim ka shtysën e qarqeve greke të cilat kanë ndikim edhe në Greqi dhe në organet europiane. Unë mendoj se duhet të ruhemi për të mos bërë një autogol.
Shezai RrokajDekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë
Sa e nevojshme është sot përcaktimi i njerëzve mbi baza etnie dhe feje, kur bëhet fjalë për një Europë globale dhe siç dihet që edhe Greqia, e cila kishte përcaktimin etnik, e ka hequr nga pasaportat dhe nga dokumentacioni. Pra nëse nuk nevojitet për dokumentacion, për çfarë nevojitet kjo? Aq më tepër në një situatë shumë të trazuar të popullsisë shqiptare në këto kohë, ku çështjet sidomos të përkatësisë fetare, kanë krijuar probleme. Kam parasysh këtu raportet me fqinjët, sidomos me fqinjët tanë jugorë. Nëse kjo nuk kërkohet në kuadrin e standardeve europiane, nëse kjo praktikë nuk është një kusht, atëherë nuk e kuptoj kujt do t’i shërbente. Sot në vend, ka shumë njerëz që nuk e dinë se çfarë feje janë.
Nga ana tjetër, feja është e lidhur edhe me etninë, sepse të qenit ortodoks ka shpesh një ngatërresë mes etnisë dhe fesë. Pra unë nuk do ta mirëprisja këtë gjë dhe them që do të hapte shumë probleme. E para nuk do të kishim një rezultat të qartë, sepse njerëzit nuk do të ishin të sinqertë me këtë deklarim, të shtyrë nga faktorë të ndryshëm, si ekonomikë dhe jetësorë. Ne jemi ende në një Shqipëri ekzistenciale. çështje të tilla shpesh njerëzit i transformojnë, duke u nisur nga problemet jetike, prandaj nuk e mendoj të nevojshëm një regjistrim të tillë të popullsisë. Unë i bashkohem atyre njerëzve që e konsiderojnë të nxituar këtë nismë. Nëse kjo nismë nuk vjen e kërkuar nga Europa, atëherë duhet që qeveria të bëjë publike arsyen e vërtetë pse po e bën këtë regjistrim dhe të mos i trajtojë shqiptarët si naivë.
Aleksandër BiberajIsh-deputet
Natyrisht që e kam ndjekur me vëmendje debatin lidhur me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnie dhe feje dhe gjëja e parë që të vjen ndërmend ka të bëjë me momentin e zgjedhur për të bërë publike një nismë të tillë. Kuptohet se momenti i zgjedhur është totalisht i papërshtatshëm, pasi vendi po kalon një situatë pothuajse të jashtëzakonshme, të krijuar nga përmbytjet në veriperëndim të vendit. Po ashtu Shqipëria ka sfida të tjera të rëndësishme, si të karakterit integrues, ashtu edhe të karakterit politik dhe ekonomik. Publikimi i një nisme të tillë sot, nismë kjo tepër sensitive dhe e debatueshme, të krijon përshtypjen e tendencës për t’u larguar nga realiteti problematik. Së dyti, regjistrimi i popullsisë mbi baza etnie dhe feje nuk është as kërkesë dhe as kusht i asnjë institucioni ndërkombëtar, përfshirë edhe BE-në apo KE-në. Po ashtu, ky lloj regjistrimi nuk përfaqëson asnjë standard ndërkombëtar, pasi regjistrimi mbi bazë feje dhe etnie nuk aplikohet sot as në SHBA, Angli apo vende të BE-së.
çështje të tilla zgjidhen me referendum, duhet të vendosen me referendum. Së treti, ky lloj regjistrimi përfaqëson një model të vjetruar, që është aplikuar në kohë dhe situata të ndryshme kryesisht kur problemet etnike apo fetare përfaqësonin barriera ndërmjet kombeve apo ishin vetë problemi. Sot, në kohët moderne, të shtrirjes së gjerë të globalizmit, ky lloj regjistrimi nuk përdoret, sepse tendenca është integrimi dhe jo dizintegrimi. Integrimi presupozon që përparësi i jepet qytetarit apo nënshtetasit atje ku çdo individ e ndërton jetën, pavarësisht se çfarë origjine apo etnie ka, çfarë race, ngjyre apo besimi përfaqëson. E katërta ka të bëjë me realitetin shqiptar, si pjesë e realitetit ballkanik. Ky lloj regjistrimi padyshim mund të manipulohet, pasi jetojmë në Ballkan, kur fatkeqësisht akoma edhe sot, ka vende që nuk të pranojnë nëse nuk ndryshon emër apo edhe fe. Nuk ka asnjë lloj garancie që ky mentalitet ballkanas, në kushtet e varfërisë ekstreme shqiptare, të mos investojë për të manipuluar këto të dhëna, me qëllim që të paraqesë në Shqipëri ekzistencën e minoriteteve me dy shifra në përqindje.
E pesta, ky lloj regjistrimi duket që nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin shqiptar, gjë që nuk e përjashton mundësinë që të ketë lidhje me lloje të tjera patriotizmi ballkanas. Dhe e fundit, por jo më e parëndësishmja, nëse patriotët ballkanas mendojnë se mund ta bëjnë këtë lloj regjistrimi, le ta bëjnë pas disa vitesh apo dekadash, kur patriotizmi i tyre të jetë bërë po aq modern sa edhe patriotizmi ynë shqiptar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›