Priten pishat, bashkia padi në gjykatë dhe prokurori
Kukës
Masakër mjedisore në një nga lagjet e qytetit të Kukësit, e cila ndodhet në afërsi të pazarit. Rreth 10 drurë dekorativë janë prerë, ndërkohë që autorët nuk janë identifikuar. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa është konstatuar në mëngjes nga punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit. Ndërkaq mësohet se Bashkia e Kukësit e ka denoncuar ngjarjen në gjykatë dhe prokurori. Por edhe pas denoncimit bashkia është e zhgënjyer, pasi asnjë nga institucionet e përmendur nuk ka vendosur ta ndjekë më tej, pasi siç është shprehur një gjyqtar, prerja e drurëve nuk përbën as vepër penale dhe as civile.
Gjithsesi mësohet se është ngritur një grup hetimor, i cili ka konstatuar veprimin e denoncuar dhe ka plotësuar dokumentacionin e duhur. Por bashkia mbetet skeptike në atë që drejtësia, përkatësisht gjykata dhe prokuroria në Kukës, të mund të gjejnë fajtorët. Drejtues të bashkisë tregojnë se edhe më parë ka pasur raste të tilla të ngjashme, kur persona të paidentifikuar kanë prerë pemët dekorative dhe që janë denoncuar nga bashkia, por që deri tani askush nuk është vënë përpara drejtësisë.
Madje kryetari i bashkisë, Hasan Halili, ka thënë se “ne kemi denoncuar edhe herë të tjera ngjarje të tilla, por për fat të keq, deri sot, ne nuk kemi mundur të gjejmë gjuhë mirëkuptimi me institucionet në fjalë”. Ai shtoi se një nga gjyqtarët ishte shprehur se ngjarja nuk përbënte vepër penale dhe as administrative. Raste të prerjes së drurëve dekorativë të qytetit janë shënuar edhe më parë. Masivi i pishave të kurorës së gjelbër, është projektuar dhe mbjellë 30 vjet më parë, por tashmë ato janë prerë dhe në vend të tyre janë ndërtuar kulla banimi dhe biznese.
#