Thaçi: Beogradi nuk do të pyetet për Veriun
Kosovë
Qeveria dhe ndërkombëtarët tregojnë strategjinë e re
“Beogradi nuk do të jetë partner dhe as nuk do të pyetet për sa i përket zbatimit të strategjisë së qeverisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë për veriun e Kosovës”, deklaroi Kryeministri Hashim Thaçi. Reagimi i tij, të cilin e transmeton radio “Europa e Lirë”, pasoi deklaratat e djeshme të zyrtarëve të Beogradit se strategjia për Veriun nuk mund të implementohet pa qeverinë e Serbisë. “Me Beogradin mund të kemi bashkëpunim ndërfqinjësor, ndërsa sa i përket strategjisë, ajo është e qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Thaçi. Ai paralajmëroi sërish ndarjen e një fondi të veçantë për Veriun, si pjesë e përkushtimeve për integrimin e kësaj pjese në kuadër të sistemit juridik e kushtetues të Kosovës. Autoritetet kosovare thonë se suksesi i strategjisë për veriun e Kosovës, qëndron në përfshirjen e të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Deri tash, vetëm ICO-ja dhe qeveria thonë hapur se janë pjesë e strategjisë. Por, EULEX-i e KFOR-i shihen si kryesorët në zbatimin e saj. Kthimi i kontrollit në Veri, përmes strategjisë së ICO-së e qeverisë, sipas autoriteteve kosovare do të ketë sukses, nëse përfshihen të gjithë faktorët vendorë e ndërkombëtarë. Por, pjesë të strategjisë, që synon vendosjen e sundimit të ligjit në Veri, e rrjedhimisht zbehjen e strukturave paralele serbe, pranojnë se janë vetëm qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), e jo edhe EULEX-i dhe KFOR-i. “Parimisht është një projekt i përbashkët mes ICO-së dhe qeverisë së Kosovës. Siç e dimë, ka faktorë të tjerë që punojnë në Kosovë, por kjo është një strategji e përbashkët e ICO-së dhe e qeverisë”, thotë zëdhënësi i ICO-s, Endi Mekgafi, duke u përpjekur që të mos përfshijë dy institucionet që janë përgjegjëse për njërën nga pikat kryesore të strategjisë - vendosjen e sundimit të ligjit në Veri. “EULEX-i dhe KFOR-i kanë mandatin e tyre, kanë programet e tyre dhe programet e tyre përfshijnë veprimet në tërë territorin e Kosovës. Nisma e qeverisë dhe ICO-s është çështje e jona, e dy institucioneve tona, ndërsa organizatat e tjera do të vazhdojnë me programet e tyre të punës”, thekson Mekgafi. Beogradi zyrtar kontrollon veriun tash e dhjetë vjet, përmes strukturave paralele, për të cilat edhe sivjet ka ndarë mbi 40 milionë euro.
Sipas analistëve politikë, për t’u zbatuar strategjia për kthimin e ligjshmërisë në Veri, është e domosdoshme përfshirja e KFOR-it dhe e EULEX-it. Analisti Driton Lajçi thotë se mendon që edhe KFOR-i e EULEX-i janë të përfshirë në strategji, por, sipas tij, ekziston një marrëveshje e heshtur që për këtë të mos flitet hapur. “Sepse problemi është jashtë territorit të Kosovës. Ka vende të BE-së që nuk e njohin pavarësinë, ka vende brenda NATO-s që e pranojnë rezolutën 1244, që e duan ende rolin e UNMIK-ut”.
“është e parakohshme që të jepet ndonjë deklaratë për këtë. Ne do të deklaroheshim vetëm për diçka që e marrim zyrtarisht nga institucionet”, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Boh. Ndryshe, ditë më parë, autoritetet e Aleancës Veri-Atlantike shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me funksionimin e strukturave paralele në Kosovë, duke u zotuar të reagojnë, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë vendin. Vetë komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fixherald, ka thënë se strukturat paralele paraqesin kërcënim për situatën e brendshme në vend. Edhe institucionet e tjera ndërkombëtare, ICO dhe EULEX-i, ditët e fundit janë shprehur kundër strukturave paralele, duke i quajtur ato të papranueshme.
#