Zhduket prej tri ditësh, dyshohet se është vetëmbytur
Gjirokastër
Policia gjen këpucët dhe rrobat buzë lumit. Në ndihmë të policisë dhe palombarët e RENEAS-s
Zhduket një 45-vjeçar nga fshati Terihat, mendohet që burri të jetë mbytur në rrjedhën e lumit Drino. Theodhori Noni, baba i dy fëmijëve, prej tri ditësh është larguar nga shtëpia e tij, duke lajmëruar më parë prindërit se do të shkonte të takonte një shok. Prindërit kanë deklaruar për gazetën “Shqip” se djali i tyre është larguar nga shtëpia rreth orës 15:00 të tri ditëve më parë, duke lajmëruar nënën dhe më pas rreth orës 17:00, është parë nga dy kalimtarë duke lëvizur në drejtim të lumit Drino. Mësohet se 45-vjeçari u ka thënë se kishte dalë për të ndihmuar të atin që kishte dalë me bagëti. Por kur i ati është kthyer në banesë dhe ka mohuar të ketë takuar të birin, janë lajmëruar forcat e rendit, të cilat kanë mbërritur menjëherë në fshatin Terihat. Gjatë gjithë natës, forcat e policisë, së bashku me familjarët kanë kërkuar në të dyja anët e lumit Drino, por nuk kanë arritur të gjejnë asnjë shenjë nga 45-vjeçari. Vetëm dje në mëngjes, forcat e policisë gjatë krehjes së të dyja anëve të lumit Drino, kanë gjetur buzë lumit, përballë fshatit, rrobat dhe këpucët e Theodhori Nonit. Ekspertët e policisë konstatuan edhe gjurmët të cilat të çonin në lum. Të ndodhur në këto kushte, është përforcuar dyshimi se Theodhori Noni mund të jetë vetëmbytur dhe është kërkuar ndihma e palombarëve të RENEA-s. Dje, me mbërritjen e tyre në fshatin Teherat, kanë filluar kërkimet duke përdorur mjete logjistike moderne, përfshirë këtu prozhektorë të fuqishëm. Dje, gjatë gjithë ditës, palombarët, forcat e policisë së Gjirokastrës si dhe familjarët kanë kërkuar dhe kontrolluar në rreth 18 kilometra gjatësi të rrjedhës së lumit Drino, duke nisur prej fshatit Terihat, deri në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. Ndërkohë forca të tjera të policisë prej Subashit, rreth 17 kilometra në veri të Gjirokastrës deri në qytet, kanë krehur të dyja anët e lumit Drino, por pa rezultat. Kërkimet kanë vijuar deri në orën 15:00 të së dielës si dhe të hënën në mëngjes. Mësohet se kontrollet janë shtrirë edhe në fushat e lumit Drino, në bunkerë si dhe stane të braktisur për të hequr çdo dyshim të mundshëm. Familjarët e Theodhori Nonit kanë deklaruar se 45-vjeçari vuante nga depresioni dhe deri pak kohë më parë ishte trajtuar në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. “Nuk është e para herë që djali ynë tenton të vrasë veten, pasi edhe më parë kishte vepruar në dëm të tij me mjete rrethanore apo dhe litar për t’u mbytur”, kanë deklaruar prindërit e 45-vjeçarit.
#