Viti i ri shkollor, mungojnë disa tekste
Sa i përket rimbursimit të teksteve, edhe sivjet përfitojnë fëmijët e personave me aftësi të kufizuar, familjet me asistencë dhe romët.
ELBASAN Shkollat e Elbasanit janë duke u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor 2011-2012. Drejtoria Arsimore ka kërkuar planin mësimor për çdo shkollë, i cili është dorëzuar që në datën 20 gusht, ndërkohë që në të gjitha shkollat janë marrë masat për shpërndarjen e librave, kryerjen e regjistrimeve dhe pajisjen me bazën e nevojshme materiale. Kështu drejtoresha e shkollës “Ali Gjahu” në qytetin e Elbasanit, Evelina Kulla, shprehet se mësuesit janë paraqitur në shkollë që më 25 gusht dhe se ka filluar regjistrimi i nxënësve duke paraqitur certifikatat dhe librezat shëndetësore. Për të gjitha ciklet ka nisur furnizimi me libra shkollorë, por, sipas saj, ka mungesa për librat fizikë, kimi e biologji për klasat e 7 dhe 8, dhe matematike e gjuhë për klasat nga e para deri tek e pesta.
Sa i përket rimbursimit të teksteve, edhe sivjet përfitojnë fëmijët e personave me aftësi të kufizuar, familjet me asistencë dhe romët.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Arsimore në Elbasan, problem për këtë vit është ulja e numrit të nxënësve në 2400 më pak në shkallë rrethi e për pasojë rreth 90 mësues rrezikojnë vendet e punës. Nisur nga kjo statistikë, për këtë vit nuk bëhet fjalë për rekrutime të arsimtarëve të rinj. Ndërsa Drejtoria Arsimore është duke marrë masa që mësuesit të mos humbasin vendet e punës, duke rregulluar numrin e nxënësve në klasa. Veç kësaj, në mjaft shkolla do të hapen klasa të arsimit parashkollor. F. Salliu