Shkupi: Athina të respektojë paktin e 95-ës
Negociatori maqedonas per çështjen e emrit, Zoran Jolevski, në takimin e zhvilluar me të dërguarin e OKB-së Metju Nimiç, ka shprehur gatishmërinë e Shkupit për të zgjidhur kontestin në fjalë. Por njëkohësisht ai i ka bërë apel Greqisë që të respektojë marrëveshjen e vitit 1995 dhe të mos pengojë integrimin e Maqedonisë në strukturat europiane. Jolevski ka shprehur qëndrimin e Shkupit mbi propozimet e bëra nga Nimiç në korrik, si dhe është shprehur në favor të gjetjes së një zgjidhjeje që të bazohet mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare. Para ketij takimi Nimiç u takua me negociatorin grek Adamantios Vasilakis, i cili tha se Maqedonia nuk mund të pretendojë anëtarësimin në BE pa u zgjidhur më parë çështja e emrit.
Itali
Berluskoni ironizon presidetin Tadiç
Kryeministri Italian, Silvio Berluskoni është vendosur sërish në qendër të vëmendjes së mediave me shakanë e fundit bërë ndaj presidentit serb, Boris Tadiç në Romë. Edhe pse një vizitë shtetërore, kryeministri italian e ka shfrytëzuar atë për të bërë shaka me një mik të vjetër si Tadiç. Gjatë një konference për shtyp në Romë, në prag të samitit Italo-Serb, ai nuk e ka prezantuar në emër presidentin Tadic por e ka quajtur Xhorxh Kluni, “Tashmë po ia kaloj fjalën presidentit Kluni, me falni presidentit Tadiç” tha Berluskoni duke ironizuar me pamjen e kreut të shtetit Serb.
Pakistan
Sulmohet postblloku i policisë
Një shpërthim në veriperëndim të Pakistanit ka lënë të vrarë të paktën shtatë persona dhe ka plagosur shumë të tjerë. Media lokale njoftoi se një makinë e mbushur me eksplozivë u përplas në një postbllok të policisë në qytetin e Peshavarit. Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, e dënoi sulmin dhe tha se qeveria do të intensifikonte përpjekjet për ta spastruar vendin nga ekstremistët. Të premten një autobombë në Peshaëar shkatërroi zyrat e agjensisë kryesore të kundërzbulimit në vend dhe shkaktoi 17 të vrarë.
SHBA
Gjyq civil për “komplotistët” e 11 Shtatorit
Personi që dyshohet se ka planifikuar sulmet e 11 shtatorit mbi Shtetet e Bahskuara, Khalid Sheikh Mohamed së bashku me katër të tjerë të paditur për përfshirje në këto sulme do të gjykohet në një gjykate civile në Nju Jork. Zoti Obama tha se populli amerikan dhe administrata e tij do të këmbëngulin që gjykimet të jenë sipas kritereve më të larta të drejtësisë. Kryeprokurori amerikan, Erik Holder, tha se priste që prokurorët të kërkonin dënimin me vdekje për të gjithë të pestë të akuzuarit. Ata prisnin që të dilnin para gjyqit ushtarak në Guantanamo Bay.
16 Nentor 2009