E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX e KFOR kunder. Operacioni ne veri i padobishem

Trupat mbrojtëse ndërkombëtare në Kosovë, KFOR, po përpiqet të parandalojë përshkallëzimin  e dhunës në veri të Kosovës. Këtë e njoftoi komandanti gjerman i KFOR-it, Erhard Buhler pas ndërhyrjes së të ekipeve speciale të policisë për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë. Buhler, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos reagojnë me dhunë ndaj situatës aktuale në veri.

“KFOR-i nuk pranon kurrfarë dhune. Në një shoqëri demokratike mendimet e ndryshme apo pozitat konfliktuoze duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore me diskutime dhe negociata,” ka thënë Buhler, pas aksionit të Policisë së Kosovës për të futur nën kontroll pikat 1 dhe 31 në veri të vendit.

Vetë Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi kanë udhëtuar drejt veriut që në orët para të mëngjesit për të monitoruar situatën aty si dhe po zhvillojnë konsultime të shumta. Pak para fillimit të aksionit të policisë në orën 22:00 të mbrëmjes së të hënës, qeveria e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Thaçi shkarkoi drejtorin e përgjithshëm të policisë Reshat Maliqi.

Me anë të një komunikate për media dhe  EULEX-i ka reaguar për veprimet e Policisë së Kosovës. “Është e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet në mënyrë të qetë dhe paqësore. EULEX, po bashkëpunon ngushtë me KFOR-in për ta bërë këtë dhe për ta ruajtur sigurinë. EULEX nuk ka qenë në asnjë formë i përfshirë në aksionin e ndërmarrë nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës”- thuhet në mes tjerash në komunikatën e EULEX-it.

Edhe më i ashpër ka qenë në komentet e tij Fernando Gentilini, përfaqësuesit Special i BE-së për Kosovën "Operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm. Ai nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-ja nuk e ka miratuar atë", citohet Gentilini, në lidhje me situatën në veri.
Sipas përfaqsuesit të BE-së "veprimet unilaterale nga njëra palë apo tjetra nuk mund ta zgjidhin problemin”.
Azhornuar së fundi ( e martë , 26 korrik 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›