Shkupjanët kërkojnë bileta që ta përkrahin Partizanin
Dy ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampionëve mes Partizanit të Beogradit dhe Shkëndijës së Tetovës, kanë zgjuar interesim të madh te tifozët e të dyja klubeve, por edhe më gjerë, për faktin se do të ballafaqohet një skuadër serbe me atë shqiptare.
Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet më 12 ose 13 korrik në Beograd, ku Partizani pritet të ketë përkrahje të madhe të tifozëve të vet, ‘Grobari’. Mirëpo, edhe tifozët shqiptarë, ‘Ballistët’ kanë paralajmëruar se rreth 1 mijë persona do të udhëtojnë në kryeqytetin serb për ta mbështetur Shkëndijën.
Ndërsa, ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Shkup, ku stadiumi me gjasë do të jetë i vogël për t’i zënë të gjithë tifozët nga gjitha trojet shqiptare që kanë shprehur interesim për ta përkrahur Shkëndijën.
Edhe ‘Grobari’ kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt Shkupit për atë takim. Sipas Alo.rs, Shkëndija si nikoqire e atij takimi vetëm 5 për qind të biletave do t’i ndajë për tifozët e ekipit serb, ashtu siç parashohin rregullat e UEFA-s.
Mirëpo, Partizani ka shumë tifozë në Shkup. Andaj, ata druajnë se mund të mbesin pa bileta për ta përkrahur ekipin bardhezi. “Nëse gjejmë bileta, atëherë sigurisht se do të jemi 5 apo 6 mijë tifozë nga Shkupi që do ta mbështesim Partizanin. Partizani gjithmonë ka pasur përkrahje të madhe të tifozëve dhe përkrahje do të ketë edhe në Shkup”, ka thënë për Alo.rs një shkupjan, tifoz i Partizanit të Beogradit.