E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt ’91, greva që shembi themelin real të diktaturës

• Nga Afrim Krasniqi*“Lëvizja studentore e shkurtit 1991, ka një fillim pothuajse të njëjtë me atë të dhjetorit ‘90. Të njëjtat kërkesa, të njëjtat peticione, i njëjti pretekst dhe të njëjtit protagonistë. Ndryshimi i vetëm ishte vendi i nisjes së protestës. Në dhjetor gjithçka kishte filluar dhe vazhduar në qytetin “Studenti”. Në shkurt gjithçka filloi në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës (sot UBT) në Tiranë”.“Më 7 shkurt protesta studentore (tashmë studentët e I.L. Bujqësor ishin solidarizuar me ata të UT. E. Hoxha të Tiranës.) mori një drejtim të ri. Në mitingun e orës 10:00 drejtuesit dhe oratorët-studentë përfundimisht paraqitën një peticion në formën ultimative. Kërkesat e tij u pritën me duartrokitje nga mitingu, çfarë do të thoshte se miratimi i tij nga studentët ishte tashmë një fakt i kryer. Kërkesat e para të tij ishin ato të njohurat, për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe shprehjes së solidaritetit me studentët e ILB-së. Më tej peticioni kërkonte dhënien fund të përndjekjeve të studentëve nga policia si edhe heqjen e të dhënave biografike politike nga dosjet e studentëve etj. Në të vërtetë peticioni fillonte në pikën tre të tij. Aty fillonin kërkesat e pastra politike. Fillimisht kërkohej realizimi praktik i çideologjizimit të shkollës dhe universitetit, heqja nga programi mësimor i lëndëve politike si edhe shkarkimi i drejtorit të RTV-së V. Kules dhe i ministrit të Jashtëm R. Malile. Në pikën e vet kulminante, peticioni kërkonte shfuqizimin e dekretit presidencial për mbrojtjen e figurave dhe heqjen e emrit të E. Hoxhës nga Universiteti”.“Kërkesa për dorëheqjen e Ministrit të Jashtëm Malile konsiderohej emergjente për mjedisin studentor... Më 28 janar 1991, ministri i Jashtëm i Alisë, R.Malile realizoi një vizitë zyrtare në Kinë. Komunikata zyrtare e kësaj vizite njoftoi dhe konfirmoi, se edhe homologu kinez Li Peng, do të vizitonte së shpejti Tiranën. Vizita e tij në Tiranë bëhej në përgjigje të ftesës zyrtare të R. Alisë, ftesë dhe vizitë që do të ishte njëherësh e para në të gjithë botën për Kinën pas masakrës në sheshin “Tian Men”. Të gjithë shtetet evropiane shprehën pakënaqësi ndaj këtij veprimi të nxituar të Tiranës zyrtare. Brenda vendit, pjesa më intelektuale e shoqërisë reagoi ashpër. Më 31 janar 1991, opozita demokratike ftoi qytetarët dhe përkrahësit e saj në një marshim proteste përpara ambasadës së Kinës në Tiranë”.“Shpallja e peticionit studentor i dha mundësinë opinionit të gjerë të njihej me forcën reale të fakteve dhe mentaliteteve. Ky revolucion mentaliteti dhe përballje politike natyrisht që pritej të kishte një qëndresë të ashpër. Kjo qëndresë nuk vonoi të vijë. Reagimi i strukturave shtetërore ishte i menjëhershëm. Ramiz Alia jo vetëm refuzoi të presë delegacione studentësh, por udhëtoi deri në Vlorë në një takim entuziast me fanatikët e Sigurimit dhe PPSH-së për të deklaruar se nuk do të kishte tolerim ndaj studentëve”. “Me urdhër të Xhelil Gjonit, të gjitha Komitetet e Partisë nëpër rrethe filluan të dërgojnë telegrame “popullore” kundër studentëve. Nga 14-22 shkurt i gjithë shtypi proqeveritar botoi me dhjetëra telegrame të tilla solidariteti me PPSH-në dhe Ramiz Alinë. Roli i “letrave nga populli” u ideua dhe u përdor nga Alia për të arritur ose propozuar ato gjëra që ai nuk mund t’i propozonte individualisht. Më origjinalja ka mbetur letra e Komitetit të Partisë së Gramshit e cila i drejtohej studentëve me kërcënime dhe fyerje të ashpra publike. Letra arrinte pikën më të lartë të mosmirënjohjes aty, ku thuhej se: “Ju studentë nuk e dini çfarë është puna dhe jetoni me mundin dhe djersën tonë”.“Mitingu i 12 shkurtit ishte menduar si më i madhi dhe vendimtari për përcaktimin e rrjedhës së demonstratës. Nga shumica e komisionit të grevës ky miting ishte parashikuar si mitingu i mbylljes. Kjo ishte arsyeja që në këtë miting ishin ftuar të gjitha forcat politike, komunitetet fetare si edhe shoqatat e krijuara deri atëherë. Fjala e kreut republikan S. Godo kaloi pa u vënë re nga rreth 30 mijë të pranishëm në miting. Ai foli për rëndësinë e dialogut, rikthimit në auditore dhe gjetjen e një kohe të përshtatshme për të kryer referendumin për emrin e diktatorit. Pas tij folën përfaqësues nga sindikatat dhe komunitetet fetare. Të dy këto grupime ishin në unison të plotë  me studentët, ndaj dhe fjala e tyre u prit me ovacione të mëdha”. “Diku nga mesi i mitingut e mori fjalën ministri i Arsimit S. Gjinushi. Gjinushi ishte një nga shtetarët më të rinj të R. Alisë. Ai së bashku me I. Ahmetin gëzonin njëfarë autoriteti në rrethet e vogla intelektuale liberale të PPSH-së. Edhe për studentët Gjinushi shihej si “ministri ndryshe”. Dalja e tij e parë përpara studentëve, fillimisht e tregoi këtë simpati. Njëri nga studentët i kërkoi publikisht Gjinushit të largohej nga kabineti Çarçanit. Ministri u përgjigj se “në çdo klasë ka nxënës të mirë dhe të këqij. Pavarësisht nga kjo, klasa është klasë dhe nuk duhet braktisur, megjithëse unë jam një nga të mirët e saj”. “Shtrirja e gjerë e solidaritetit rinor dhe bashkimi i studentëve me nxënësit dhe qytetarët e shumtë demokratë të Tiranës dhe qyteteve pranë saj, i dha një madhështi të jashtëzakonshme mitingut të 14 shkurtit. Ishte dita kur tërë mjetet zyrtare të informimit përsëritnin në unison fjalimin e R. Alia në Vlorë. Kreu komunist i regjimit kishte zgjedhur Vlorën për të sulmuar dhe kërcënuar studentët dhe tërë opozitën shqiptare. Duke folur gjerë e gjatë në këtë vizitë për “arritjet” historike të PPSH-së, Ramiz Alia kërcënoi ashpër studentët dhe kërkesën e tyre për heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti. Me stilin e tij demagogjik Alia deklaroi se: “të gjitha arritjet pozitive të dekadave të fundit, janë historia e popullit, janë biografia e tij. Ato vetëm me mirësjellje mund të trajtohen. Me ndjenjat e popullit s’ka kush të drejtë të luajë”. Kjo nuk ishte deklaratë e zakonshme, po të kihet parasysh se në shkurt 1991, togfjalëshi “ndjenjat e popullit” nënkuptonte tërë makinën shtypëse të regjimit të Alisë, përfshi policinë, sigurimin, komunistët dhe vetë PPSH-në”.“Dukuria e praktikimit prioritar të humorit, barsoletave politike, këngëve dhe poezive, rrezikoi zhvendosjen e vëmendjes së studentëve nga realiteti i ashpër që po afrohej. Duket se kjo gjë u ndje nga njëri nga aktivistët më të guximshëm dhe të vendosur, poeti dhe përkthyesi student Shenasi Rama... Rama disi i tërhequr që nga koha e largimit nga PD-ja 20 ditë më parë, doli në podium në një moment kur të gjithë ishin të prirur për të qeshur me humorin e bollshëm”. “Natyrisht që ai nuk kishte talent t’i bëjë njerëzit për të qeshur. Por, ai kishte një oratori dhe logjikë të qartë, nëpërmjet të cilës ai ia arriti që pas dhjetë minutave ta sinkronizojë mitingun në rrjedhë të pastër politike. Ai u tha studentëve se hyrja në grevë urie nuk është lodër apo aventurë, por betim i përbashkët për të mposhtur diktaturën. Ai tha se nga greva mund të dalim edhe fitues edhe të vdekur. Ai përmendi shembullin e sheshit kinez të “Tian Men” dhe e cilësoi R. Alinë si kriminel dhe armik të demokracisë...”“Të dielën më 17 shkurt, Tirana u gdhi nën një shi të lehtë pranvere. Atë ditë ishte afati i fundit për skadimin e ultimatumit studentor... Në një mbledhje të rrufeshme, në një grup të gjerë studentësh, u lexua dhe u miratua komisioni i grevës së urisë i përbërë nga studentët Blendi Gonxhe, Arben Lika, Arian Manahasa, Ridvan Peshkëpia, Ilir Disdari, Ndue Lugja, Tefalin Malshyti dhe Mesila Doda”.“Vendosmërisë së studentëve për të shkuar drejt vetëflijimit, R. Alia iu përgjigj me vendosmërinë për të mos toleruar asnjë kërkesë politike të studentëve. Më 17 shkurt, ministri i Arsimit S. Gjinushi njoftoi vendimin e tij për mbylljen e Universitetit dhe shkollave deri më 25 shkurt. Pak orë pas shpalljes së këtij vendimi, policia, drejtoria dhe punonjësit e godinave urdhëruan lirimin e godinave të vajzave brenda 10 orëve... Televizioni shtetëror komunikoi vendimin e ministrit të Arsimit dhe u bëri thirrje prindërve të studentëve konviktorë të merrnin masa të menjëhershme për kujdesin e “shëndetit dhe jetës së fëmijëve studentë”, me motivin se gjoja ata kërcënoheshin nga grupe të errëta ekstremistësh dhe keqbërësish në Tiranë. Reagimi i banorëve demokratë të Tiranës ndaj këtyre masave brutale të qeverisë ishte i menjëhershëm. Sindikata e porsa themeluar e punëtorëve premtoi se do të hartojë listat e të gjithë familjarëve kryeqytetas që pranonin të strehonin për disa ditë studentët e dëbuar nga qyteti i tyre...” “Ditët më pas u duk se betoni zyrtar po çahej. Të dërguarit e Alisë nëpërmjet televizionit shtetëror hodhën idenë se emri i Hoxhës i përkiste të gjithë popullit shqiptar dhe si i tillë duhej bërë një referendum kombëtar. Më 15 shkurt autoritetet propozuan variantin tjetër, atë të një referendumi vetëm me studentët, pedagogët, punonjësit dhe të gjitha këto kategori në breza që nga themelimi i universitetit. Edhe kjo shikohej e realizueshme vetëm pas zgjedhjeve të 31 marsit”.“Kryetari S. Berisha pasi analizoi zhvillimet më të fundit, konkludoi në propozimin për të mbrojtur studentët në nismën e tyre të guximshme. Ai tha se “është e drejta e tyre heqja ose jo e emrit të Hoxhës nga Universiteti” dhe propozoi që PD-ja të shprehej dakord për zhvillimin e një referendumi studentor”.“Televizioni shqiptar dhe gazetat e majta që ende financoheshin nga buxheti i shtetit, vazhdonin çdo ditë betejën e telegrameve. Ushtarakë, veteranë të luftës, kolektiva punonjësish, fshatarë dhe efektiva policie, pionierë dhe kolektiva nxënësish nga të gjitha rrethet e vendit, citoheshin në RTV si autorë telegramesh kundër studentëve “mosmirënjohës dhe vandalë” dhe në mbrojtje të figurës së Hoxhës. Kërcënimet ishin të shumëllojshme. Ca kërkonin që studentët të përjashtoheshin nga Universiteti, ca të mbyllej përkohësisht ai, ca të arrestoheshin organizatorët e protestave dhe të tjerë të përdorej ushtria dhe sigurimi për të zbuluar bashkëpunimin e studentëve me CIA-an amerikane”.“Mbrëmja e 17 shkurtit e gjeti qytezën studentore në një heshtje të frikshme. Tek-tuk dallohej ndonjë lëvizje automjeti apo kalimtarë që nxitonin për në strehën e tyre. Nuk kishte as muzikë dhe as aktivitete argëtuese. Gjatë ditëve të fundit një pjesë e konsiderueshme e studentëve ishin rikthyer pranë familjeve të tyre... Familjarë të studentëve që ende nuk kishin braktisur protestën, lajmëronin për sëmundje dhe vdekje të të afërmve të tyre. Natyrisht, që askush nuk kishte vdekur dhe asnjë nuk ishte sëmurë, por kjo ishte e vetmja mundësi që prindërit të kishin pranë fëmijën e tyre student...” “18 shkurti ishte një ditë krejt ndryshe nga ditët e tjera. Ishte zhdukur dëbora dhe nuk kishte më reshje shiu. Që në orët e para të mëngjesit studentët dhe vizitorët e shumtë mbushën rrugicat studentore... Rreth orës 09:00 pranë sheshit “Demokracia” grumbulli i njerëzve po vinte duke u shtuar. Pas 30 minutave ishte e pamundur të lëvizje nëpër shesh, nga dendësia e madhe e pjesëmarrësve në miting. Natyrisht që këtë ditë, fjalimet ishin shumë më të pakta dhe humori i përditshëm ishte zhdukur nga skenari. Të qeshurat e zakonshme të qytetarëve kryeqytetas i kishin lënë vendin syve të lotuar të dhjetëra nënave tiranase. Nuk ishte e rëndësishme në ato kishin apo jo aty djalin dhe vajzën e tyre. Miqësia, solidariteti dhe afrimiteti mes studentëve dhe qytetarëve kryeqytetas i kishte kaluar të gjithë kufijtë e një dashurie dhe respekti qytetar. Marrëdhëniet e tyre paraditen e 18 shkurtit flisnin për shumë më tepër”.“Pavarësisht nga përgatitjet e studentëve për të hyrë në grevë urie, komisioni i grevës kishte lënë afatin e fundit për qeverinë. Afati ishte deri në orën 11:30”.“Në orën 11:45 minuta komisioni i grevës kërkoi të bënte komunikatën e fundit përpara studentëve. Pati disa ndërhyrje dhe kërkesa për të pritur edhe pak, por ndërkohë të gjitha afatet kishin mbaruar. Fiks në orën 12:00 të datës 18 shkurt 1991, komisioni i grevës studentore shpalli përfundimin e afatit për bisedime dhe fillimin e grevës së urisë. Oratorë teknike të komisionit lajmëruan detaje të hollësishme për hyrjen në grevë, sallën ku do të zhvillohej dhe kushtet për t’u bërë anëtar i saj”. “Gjysmë ore pas mesditës, pranë Kinoklubit “Studenti” ishin mbledhur mijëra qytetarë, pedagogë dhe studentë. Dikush lajmëroi vendimin e komisionit që në grevë të pranoheshin vetëm studentët dhe pedagogët. Gjithashtu, për t’u lejuar hyrja në grevë u kërkua paraqitja e detyrueshme e librezës së studentit. Në portën e vogël hyrëse ishte vendosur flamuri kombëtar. Përpara saj radha e studentëve që shtyheshin për të hyrë brenda ishte jashtëzakonisht e madhe. Megjithëse deri para pak momentesh në fletët e komisionit të grevës kishin firmosur vetëm 280-300 studentë, përpara kinoklubit ishin dyfishi i tyre. Të parët hynë ata që kishin firmosur më parë, më pas të tjerët që dëshironin të hynin. Secili student mbante librezën në dorë dhe përpara se të kalonte pragun e hyrjes puthte flamurin kombëtar. Ky akt ishte kuptimplotë dhe i papërsëritshëm”.(vijon nesër)(*)Marrë nga libri “Fundi i Siberisë Shqiptare” 1998, me autor Afrim KrasniqinListaIsh-studentët në grevën e urisëFakultetiHistori - Filologji (66)Afrim Krasniqi     Agron Loci     Alban Xhiku     Alfred GolloshiAli KoçukuAltin Dervishi    Andi Baba    Andi DervishiAnila Pulleja    Arben Ahmetaj    Arben Llogoni    Arben TotolakuArdi Stefa    Ardian Lami    Ardian Vruzhi    Ardian NikajArleta Xeka    Armand Mero    Artan Pervaza     Artur KatuçiBesnik Kadesha    Dritan Çuni    Dritan Islami    Dritan LlanajDritan Tole    Edit Harxhi    Eduart Bardhi    Edvin ShvarcErion Kabo    Eugenta BezhaniFatmir Daci    Fatos VladiFrederik Seiti    Genc Burimi    Gent Bega    Gentian MoçkaGentiana Bitri    Gramoz Hoxha    Gjon Bardhi    Hysni ÇamiIlir Muka    Kont Oriolli (pedagog)Kreshnik ÇollakuLeonard OsmaniLulzim Sinani    Lura Baçi    Lush Nika    Mark MarkuNeritan Hoxha    Omer Dashi    Osman Sadiku    Redin HafiziRobert Koçiu    Roselita Shehu    Rudian Zekthi    Selim KryeziuSilva Shabani (pedagog) Skender MinxhoziSokol Luci    Sokol MuçaStefan Stefa    Shinasi Rama    Shkelqim Jani    Tajar DubaliYlli Huka    Xheni Tanini (koresp)
(vijon nesër)
neser do te lexoniRrethimi me forca të armatosura i sallës ku u ngujuan studentët dhe incidenti me të vetëquajturin, përfaqësues i komunitetit të shqiptarëve në KroaciCilët ishin të dërguarit e Ramiz Alisë, që tentuan të bindnin studentët të linin grevën dhe versionet që propozonin për përmbushjen e kërkesave të tyreLajmi anonim se Plenumi i KQ të PPSH, kishte miratuar kërkesën e studentëve, festa e parakohshme, përgënjeshtrimi dhe ringujimi në grevëÇ’përmbante telegrami i rremë i studentëve të Prishtinës dhe ai i vërteti i mbërritur më pas

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›