E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, afatet e reja për paratë

• Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar kriteret për procedurat që duhen ndjekur nga disa prej institucioneve lidhur me përgatitjen e dosjeve për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë.ADI SHKEMBIMateriali i përgatitur nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pritet të paraqitet sot për miratim gjatë mbledhjes së qeverisë. Sipas kreut të drejtësisë "përmbajtja e projektvendimi konsiston në përcaktimin e kritereve, procedurave dhe llojit të përgjigjes që secili prej institucioneve përgjegjëse, të parashikuara në nenin 11, pika 1, të ligjit i drejton Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të bashkërendimit të punës midis tyre, lidhur me shqyrtimin e kërkesave të subjekteve përfituese sipas këtij ligji". VendimiKështu në pikën 1 të këtij projektvendimi përcaktohet se institucionet që do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Drejtësisë për shqyrtimin e kërkesave për dëmshpërblim të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist do të jenë Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit dhe arkivat e sistemit gjyqësor. Kështu nisja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera, nis menjëherë pasi vërtetohet që kërkesa e ish të përndjekurit plotëson një nga 3 kriteret e përcaktuara në ligj dhe që janë kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënim penal politik; kur provohet se kërkuesi, gjatë të njëjtit gjykim apo gjatë gjykimeve të tjera, është dënuar për një ose më shumë vepra penale, politike dhe jopolitike; se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin. Nëse Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës për dëmshpërblim nga ish i përndjekuri, ia përcjell këtë kërkesë institucioneve me të cilat do të bashkëpunojë, për verifikim të drejtpërdrejtë nga burimet e tyre arkivore. Më pas, institucionet e përcaktuara në këtë vendim, kanë 30 ditë kohë që t'i kthejnë një përgjigje Ministrisë së Drejtësisë. Pas këtij verifikimi përcaktohet nga vetë institucioni që ka bërë kërkimin nëse ish i përndjekuri që ka paraqitur kërkesën plotëson apo jo kriteret për të përfituar dëmshpërblim. E njëjta procedurë ndiqet edhe për shqyrtimin e bashkërenduar, ku Ministria e Drejtësisë, i kërkon institucioneve që përcaktohen në këtë vendim, verifikimin e kritereve të parashikuara në ligjin "Për të përndjekurit politikë". Ndërkohë e njëjta procedurë ndiqet edhe për denoncimin e fakteve të pavërteta. "Procedura për bashkërendimin e punës, ndërmjet institucioneve përgjegjëse sipas pikës 1 të këtij vendimi, zhvillohet sipas pikave të mësipërme edhe për shqyrtimin e denoncimeve të fakteve të pavërteta nga qytetarët, në përputhje me nenin 31, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist"", thuhet në pikën 5 të këtij projektvendimi. Sipas Alibeajt "projektligji i propozuar përmbush detyrimin ligjor të nenit 11, pika 2 të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist" dhe përbën një element të rëndësishëm në kuadër të implementimit të drejtë, efektiv dhe efecient të dispozitave të tij".Vendimi, vetëm Mediu kthen përgjigjeProjektvendimit të hartuar nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i ka kthyer përgjigje vetëm ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Në relacionin e këtij projektvendimi, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministri Alibeaj shkruan se "projektvendimi, me shkresën nr. 350 prot., datë 16.01.2008, është dërguar për mendim në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Përgjigje është kthyer vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, e cila është shprehur dakord dhe pa vërejtje". Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu në përgjigjen për projektvendimin shkruan se "në përgjigje të shkresës suaj nr. 350 prot., datë 16.01.2008, në lidhje me projektvendimin e Këshillit të Ministrave "për kriteret, procedurat e bashkërendimit të informacionit midis Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, si dhe lloji i përgjigjes për çdo kërkesë", shprehemi dakord dhe nuk kemi vërejtje.Kriteret për të përfituar dëmshpërbliminNë ligjin "Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë", përcaktohen pesë kriteret për të përfituar dëmshpërblimin kështu i dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara duhet të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991; heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre penale politike, siç përcaktohet në nenin 5 të këtij ligji; të ketë kryer ose të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë plotësisht ose pjesërisht; të kenë fituar pafajësinë, sipas ligjit nr. 7541, datë 30.09.1991 "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë", të ndryshuar; sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë.ProjektvendimPër përcaktimin e kritereve të procedurave të bashkërendimit të informacionit, ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera, përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për dëmshpërblim të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, si dhe të llojit të përgjegjësisë për çdo kërkesë1. Gjatë shqyrtimit të kërkesave për dëmshpërblim të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, Ministria e Drejtësisë bashkërendon me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ të Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe arkivat e sistemit gjyqësor. 2. Bashkërendimi i punës, ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, kryhet për shqyrtimin e drejtpërdrejtë dhe shqyrtimin e bashkërenduar, për kërkesat për dëmshpërblim të subjekteve, kur plotësohen kriteret e parashikuara në shkronjat "a", "b" dhe "d", të nenit 26, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist". 3. Shqyrtimi i drejtpërdrejtë: - Ministri i Drejtësisë brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës nga ana e subjektit, në rastin e shkronjës "d", të nenit 26, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist", ua përcjell kërkesën institucioneve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për verifikimi të drejtpërdrejtë, në burimet arkivore të tyre, të periudhës 30.11.1944-01.10.1991. - Institucionet e sipërpërmendura, brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës, përcjellin pranë Ministrisë së Drejtësisë përgjigjen përkatëse, për plotësimin e kritereve të nenit 4, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist", të shoqëruar me kopje të dokumenteve përkatëse arkivore. - Përgjigjja e institucioneve është sipas tekstit në vijim: "Pas verifikimit të drejtpërdrejtë, të kryer nga institucioni ynë, në bazë të shkronjës "d", të nenit 26, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist", ju vëmë në dijeni se subjekti kërkues: a) plotëson kriteret për të përfituar dëmshpërblimin, sipas nenit 4, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist"; ose b) nuk plotëson asnjërin nga kriteret e parashikuara në nenin 4, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist". 4. Shqyrtimi i bashkërenduar: i) Ministri i Drejtësisë, brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, për rastet e parashikuara në shkronjën "a" e "b", të nenit 26, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist", ua përcjell institucioneve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, dosjen e kërkuesit, të shoqëruar me një shkresë përcjellëse, me anë të së cilës kërkohet verifikimi i kriterit të parashikuar në shkronjën "d", të nenit 4 të këtij ligji. ii) Institucionet e mësipërme, brenda 30 ditëve nga depozitimi i dosjes, njoftojnë me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe i përcjellin bashkëlidhur një kopje të dokumenteve përkatëse arkivoreiii) Përgjigjja e institucioneve është sipas tekstit në vijim: "Pas shqyrtimit të kryer në burimet arkivore të institucionit tonë, në bazë të nenit 27, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist", ju vëmë në dijeni se subjekti kërkues: a) plotëson kriterin e parashikuar në shkronjën "d", të nenit 4, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist";ose b) nuk plotëson kriterin e parashikuar në shkronjën "d", të nenit 4, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist". 5. Procedura për bashkërendimin e punës, ndërmjet institucioneve përgjegjëse, sipas pikës 1, të këtij vendimi, zhvillohet sipas pikave të mësipërme edhe për shqyrtimin e denoncimeve të fakteve të pavërteta nga qytetarët, në përputhje me nenin 31, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›